Politike

Manjani: Skenari i vetëm i PD-LSI për zgjedhjet lokale

Kur kanë mbetur edhe 24 orë nga skadimi i afatit të regjistrimit të partive politike pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për garën elektorale të 30 qershorit, partitë e opozitës nuk kanë marrë ende një vendim final nëse do të bëhen pjesë e këtij procesi ose jo. Qëndrimi i tyre paraprakisht është që të mos marrin pjesë në zgjedhje, pasi kanë vendosur kushte, që konsiston në krijimin e një qeverie tranzitore, pa Edi Ramën si kryeministër dhe krijimin e kushteve për zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Mazhoranca është shprehur e vendosur për të realizuar zgjedhjet më 30 qershorit, pavarësisht qëndrimit të opozitës. Partitë të tjera opozitare, jo të bllokut të koalicionit PD dhe LSI po regjistrohen në KQZ, ndërsa paralajmërimi i krijimit të partisë së re opozitare, “Bindja Demokratike” e deputetes Rudina Hajdari po shihet nga opozitarët si një nxitje e qeverisë për të zhvlerësuar qëndrimin e tyre.
Ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani ndan një tjetër ide sa i përket asaj nëse opozita duhet të marrë pjesë në zgjedhje ose jo më 30 qershor.
Me anë një të postimi në Facebook, Manjani shprehet se opozita nuk duhet të marrë pjesë në këto zgjedhje dhe ky pritet të jetë opsioni i vetëm.
“Nëse qeveria do të çojë deri në fund marrëzinë e bërjes së votimeve me organizata “leva”, siç bëri Partia e Punës në ‘91, opozita politike ka vetëm një opsion; Të bëjë thirrje për mospjesëmarrje në këto votime. Suksesi politik i opozitës në këto kushte do të matej me sasinë e votuesve që nuk marrin pjesë në votimet farsë. Kush e do Rilindjen dhe urren demokracinë, le të shkojë e të votojë! 200% le ta nxjerrin rezultatin”, thekson Manjani.
Sipas tij, thirrja për mos marrjen pjesë në votime do të ishte zgjidhja më e mirë e opozitës, pasi ai i qëndron idesë se vendi duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare.
“Por kush do demokracinë duhet të përgatitet për zgjedhjet politike. Ato janë sot në agjendën e Shqipërisë. Asnjë skenar apo opsion tjetër nuk i shton, përkundrazi i heq pikë opozitës. Qeveria po bën ekzakt këtë gjë, pra të nxisë opozitën drejt dhunës për t’i hequr pikët që ka marrë nga keqqeverisja dhe skandalet e përjavshme të Rilindjes. Dhuna nuk pranohet nga askush. Deri më sot monopolin e dhunës e ka marrë qeveria. Ajo duhet ta mbajë deri në fundin e saj…”, shprehet më tej Manjani.
Skenari për t’i bërë thirrje elektoratit për të mos marrë pjesë në votime nuk është i panjohur në Shqipëri. Ai u përdor në vitin 1998 në kohën e votimit të referendumit për miratimin e Kushtetutës. Partia Demokratike asaj kohe në opozitë u bëri thirrje zgjedhësve dhe elektoratit të saj që të mos marrin pjesë në votime, duke abstenuar pasi kontestonte draftin.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë