Politike

Manja raporton te Ligjet, Alibeaj merr në mbrojtje Berishën

Ministri i Drejtësisë prezantoi në Komisionin e Ligjeve raportin e përmbushjes së rekomandimeve që Qeveria i ka lënë drejtësisë për vitin 2021, ku u përplas me deputetin e PD-së, Enkelejd Alibeaj në lidhje me retorikën e javëve të fundit adresuar SPAK-ut.

Alibeaj mori ‘në mbrojtje’ Sali Berishën në këtë rast.

“Ju i keni kërkuar SPAK-ut që të hetojë kundërshtarin tuaj politik. A është kjo ndërhyrje në punën e SPAK”, tha Alibeaj.

Ministri i Drejtësisë mbrojti qëndrimet e Kryeministrit Edi Rama dhe të vetat personalisht në këtë drejtim. Ai tha se nuk ishte ndërhyrje, por kërkesë llogarie për një performancë më të mirë.

“Reforma në drejtësi kishte si qëllim garantimin e pavarësisë së sistemit të drejtësisë nga politika. Performanca institucionale e organeve, ne kërkojmë performancën. Nuk kemi ndërhyrë në asnjë hetim, apo nuk kemi kërkuar të hetohet ky ose ai. T’i kërkosh prokurorisë të japë përgjigje çfarë bëhet me 4 çështje që thotë se i ka regjistruar, besoj se lidhet me një nga përgjegjësitë kushtetuese dhe ligjore që ka ekzekutivi. Kërkesë për performancë, jo ndërhyrje e presion”, tha Manja.

Alibeaj replikoi duke i kujtuar se përse Qeveria nuk kërkoi performancë nga një tjetër dosje, kur të dyshuarit kanë qenë në krah të mazhorancës. Ai foli për dosjen 184, ku sipas përgjimeve të publikuara nga Bild, i përfshirë është edhe vetë ministri Manja.

“Pse nuk kërkuat performancë për dosjen 184 të Dibrës? Ajo dosje u mbyll me parashkrim afatesh, sepse u zvarrit. Pse nuk kërkuat performancë në këtë rast dhe atëherë po do të kishit të drejtë të kërkonit performancë për 4 dosjet (Gërdeci, 21 Janari, CEZ-DIA dhe privatizimi i kompleksit Partizani) e tjera?”, tha ai.

Gjatë raportimit të ministrit pati debate në lidhje me përmbushjen e rekomandimeve për hetimet e krimeve zgjedhore. Alibeaj tha se dosjet e këtyre krimeve janë zvarritur, ndërsa akuzoi Qeverinë se nuk ka vullnet në këtë drejtim, duke mos e përfshirë te rekomandimet e 2022.

Ministri i Drejtësisë u përgjigj se hetimi i krimeve zgjedhore ishte rekomandim parësor përgjatë vitit 2021, ndërsa se sa është përmbushur ky rekomandim e adresoi Enkelejd Alibeajn te prokuroritë.

“Drejtuesit e prokurorive do të vijnë të dalin këtu dhe pyetini se sa është përmbushur ky rekomandim”, tha Manja.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë