Politike

Mandatet në KQZ, përplasja e re qeveri-opozitë

Në tetor të këtij viti politika pritet të kaplohet para koha nga ethet e zgjedhjeve e kjo jo për rezultatet, por për përbërjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Katër anëtarëve të KQZ-së, Hysen Osmani, Vera Shtjefni të propozuar nga PD, si dhe Bledar Skënderi të propozuar nga PS-ja dhe Gëzim Veleshnja të propozuar nga LSI u mbaron mandati.

Në bazë të Kodit Zgjedhor, anëtari i KQZ-së ka një mandat 6-vjeçar, ndërsa kryetari i KQZ-së ka një mandat 4-vjeçar me të drejtë rizgjedhjeje.

Sipas nenit 14 të Kodit Zgjedhor 4 anëtarë zgjidhen në mënyrë automatike nga Partia Socialiste dhe Partia Demokratike pasi kanë numrin më të madh të mandateve në Parlament.

Dy anëtarët e tjerë zgjidhen sipas formulës së parashikuar po në këtë nen të Kodit, ku anëtari i pestë zgjidhet nga propozimi i kandidaturave të grupit parlamentar të shumicës dhe kandidaturave e gjashtë nga propozim i grupeve parlamentare të opozitës.

Si praktikë, njëri nga vendet e anëtarëve të KQZ-së iu përkasin partive të tjera të opozitës dhe të bllokut mazhoritar, të cilat kanë qenë LSI, PR, PBDNJ, sipas raporteve politike që kanë pasur këto parti.

Ngërçi me mandatet

Nga përfundimi i mandateve, Gëzim Veleshnja i LSI-së duhet të largohet nga detyra që mban. Në këtë këndvështrim LSI-ja duhet të lobojë për çështjen e anëtarit të KQZ-së, pasi tashmë anëtari i saj i votua me votat e PS-së, si përfaqësues i mazhorancës.

Por situata duket e komplikuar në KQZ për shkak të mënyrës së zëvendësimit të anëtarëve. Në vitin 2012, 7 anëtarët e KQZ-së u zgjodhën me një mandat të plotë. Ndërkohë që pas dorëheqjeve të Denar Bibës dhe Albana Shtyllës dhe Jani Jani të PBDNJ, në KQZ u bë zëvendësimi, duke bërë që Bledar Skënderi të marrë mandatin e Denar Bibës, Gëzim Veleshnja të Jani Janit të PBDNJ-së dhe Edlira Jorgaqi të Albana Shtyllës.

Këto zëvendësime u bënë në vitin 2013. Pra dy anëtarëve Veleshnja dhe Bledar Skënderi që u zgjodhën vijuan mandatin e Bibës dhe të Janit.

Ndërkohë që situata bëhet disi më e ngatërruar kur pakti i 17 majit 2017 mes dy liderëve kryesorë të politikës Edi Rama të PS-së dhe Lulzim Basha të PD solli edhe një rokadë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, ku kryetari i këtij institucioni për herë të parë i takonte opozitës.

Kështu Denar Biba dha dorëheqjen nga posti i kryekomisionerit, duke i kthyer në një anëtar i thjeshtë në këtë institucion, duke u marrë postin e nënkryetarit të KQZ-së. Ndërsa Klement Zguri i zgjedhur nga PD, por më parë i propozuar nga PR e Mediut, nga anëtar i thjeshtë u zgjodh kryetar i KQZ dhe kjo falë paktit Rama-Basha.

Ky pakti bëri që PD-ja të bindet dhe të futet në zgjedhjet parlamentare të 2017.

Ndërsa pritet për t’u përcaktuar edhe mandati i Denar Bibës nëse i takon opozitës apo maxhorancës. Sipas logjikës, ai ka marrë mandatin e lënë nga Klement Zguri i lënë për Denar Bibën.

I mbetet vullnetit të maxhorancës tani nëse do të zbatojë sërish paktin e 17 majit mes Ramës dhe Bashës që kryetari i KQZ-së t’i takojë opozitës parlamentare.

Partia Socialiste ende nuk ka një vendim përfundimtar në lidhje me këtë çështje, por ditët në vijim pritet që të kristalizohet dhe veprimi që do të ndërmarrë.

Ndërkohë sa i përket mandatit të Gëzim Veleshjes, burime nga PS-ja bëjnë të ditur se do kërkojnë që mandati t’i takojë asaj, pasi tashmë LSI-ja është në opozitë dhe jo në qeverisje me socialistët.

Lëvizja Socialiste për Integrim mbetet në dorë të PD-së, nëse do të pranojë që propozojë një anëtar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve ndonjë përfaqësues të LSI-së ose jo.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë