Politike

Mandatet e deputetëve, Kuvendi ia kalon listën KQZ-së

Kuvendi nuk humbet kohë dhe i dërgon Komisionit Qendror të Zgjedhjeve listën e me emrat e deputetëve të opozitës që kanë paraqitur dorëheqjen nga mandati i deputetit. Pa kaluar as 24 orë nga depozitimi i kërkesës së kryedemokratit Lulzim Basha pas protestës së djeshme, Kuvendi, sipas burimeve zyrtare, i ka dërguar shkresën KQZ-së.

Kuvendi ka firmosur kështu dorëzimet e 56 deputetëve të opozitës, duke ia dërguar ato institucionit përgjegjës që merret me vakancat.

“Mandati i deputetit, i fituar sipas neneve 162 dhe 163 të këtij Kodi, ndërpritet vetëm për shkaqet e parashikuara në nenin 71 të Kushtetutës. Nuk përbëjnë shkak për ndërprerje të mandatit marrëveshjet apo deklaratat paraprake individuale apo kolektive për heqje dorë nga mandati. Në rastin e shkronjave “a” dhe “b” të pikës 2 të nenit 71 të Kushtetutës, deputeti deklaron në mënyrë publike përpara komisionit përkatës të Kuvendit refuzimin për të bërë betimin ose heqjen dorë nga mandati. Në këtë rast Kuvendi, jo më vonë se 30 ditë, njofton KQZ-në për krijimin e vakancës”, thuhet në nenin 164 të Kodit. Ndërsa neni 71 i Kushtetutës parashikon që mandati i deputetit mbaron ose është i pavlefshëm, sipas rastit:a) kur ai nuk bën betimin; b) kur heq dorë nga mandati.

Formulari i deklarimit të dorëzimit të mandatit të deputetit te nenshkruar nga Sali Berisha

Tashmë topi për djegien ose jo të mandateve kalon në fushën e KQZ-së. Ky institucion duhet të vendosë për mandatet e deputetëve brenda 30 ditëve, si akt procedural. Por, sipas burimeve mësohet se procesi i dorëzimit dhe i zëvendësimit të kandidatëve për deputetëve mund të kërkojë kohë, pasi KQZ-ja do t’i kërkojë edhe një herë kandidatëve që pritet të shpallen deputet që të dorëzojnë nga e para formularin e Deklarimit sipas ligjit të Dekriminalizimit. Kjo për faktin e mund t’i ketë ndryshuar gjendja gjyqësore e tyre.
Kjo mësohet se është një praktikë që ka ndodhur edhe herët e tjerë, dhe se numri i lartë i deklaratave të dorëzimit mund t’i kërkojë kohë KQZ-së.

Sipas pikës 3 të nenit 164, KQZ-ja merr vendim për dhënien e mandatit kandidatit të radhës në listën e kandidatëve të regjistruar sipas nenit 67 të këtij Kodi. Vendimi i njoftohet kandidatit dhe botohet në Fletoren Zyrtare. Nëse kandidati i radhës nuk paraqitet në Kuvend brenda 30 ditëve nga njoftimi, pa shkaqe të përligjura, mandati i kalon kandidatit vijues të listës, sipas procedurës së parashikuar në pikën 1 ose 2 të këtij neni. E njëjta procedurë vazhdon deri në shterimin e listës së kandidatëve të së njëjtës parti politike.


Opozita depozitoi të enjten në bllok deklaratat e deputetëve të saj që njoftonin dorëzimin e vullnetar të mandatit. Kjo ishte lëvizja e parë e tyre. Aksioni tjetër ishte edhe ai i nënshkrimit të formularit të dorëheqjes edhe nga ana e kandidatëve të tjerë që janë pjesë e listës shumemërore. PD ka të paktën 151 kandidatë në listë që duhet të firmosin këtë deklaratë. Ndërsa LSI-ja ka 128 emra që duhet të firmosin.
Sipas burimeve të Gazeta SI, grupi i punës i ngritur nga PD-ja në përbërje të të cilit janë sekretari i Përgjithshëm Gazment Bardhi; sekretari i Çështjeve Ligjore, Çlirim Gjata, si edhe Oerd Bylykbashi, Enkelejd Alibeaj dhe eksperti Ivi Kaso po punon për hartimin e modaliteteve, që konsiston në përpilimin e një dokumenti që ngjashëm me atë që u përdor për deputetët që dorëzuan mandatin.
Pjesë e planit të opozitës është edhe dorëheqja e personave që janë në listën shumemërore të opozitës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë