Lajme

Mandatet, Ambasadori i BE: Pasiguri politike, duhet dialog

Ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë, Luigi Soreca, deklaroi nga qyteti i Korçës se heqja dorë nga mandatet e deputetëve të opozitës, minon procesin e integrimit të Shqipërisë. Ambasadori i BE theksoi se pa dialog s’ka zgjidhje për integrimin në BE.
“Në këtë moment është shumë herët të bëj ndonjë parashikim. Pasiguria në vend është shumë e lartë. Ne kemi hyrë në këtë situatë vetëm dje. Ka kaluar shumë pak kohë. Ajo që mund të them është se pa dialog nuk ka zgjidhje në rrugën e Shqipërisë për në Bashkimin Europian, në të cilën ajo ka bërë një progres shumë të madh.
Heqja dorë nga mandatet minon procesin integrues të Shqipërisë drejt BE-së. Deputetët kanë përgjegjësi ndaj votuesve, presim që qeveria dhe opozita të angazhohen në dialog”, shprehet ambasadori i Bashkimit Europian, Soreca.
Me protestat e nisura, opozita e bashkuar kërkon qeveri tranzitore dhe zgjedhje të parakohshme, por kryeministri Edi Rama është shprehur se vendi nuk do të shkojë drejt zgjedhjeve të parakohshme.

Pas protestës së djeshme, opozita dorëzoi mandatet e deputetëve, pavarësisht thirrjeve të ashpra nga ana e ndërkombëtarëve për të mos shkuar drejt këtij akti që sipas tyre cenon jo vetëm demokracinë e vendit, por edhe të ardhmen integruese të Shqipërisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë