Futboll

Mançini prezantohet në Arabi: S’jam magjistar, por do ndërtojmë diçka të rëndësishme

Gazeta Si – Në Riad ishte dita e Roberto Mançinit. Nga njoftimi zyrtar dhe më pas prezantimi si trajner i Arabisë Saudite. Trajneri italian do ta udhëheqë këtë skuadër për ta bërë më të fortë.

Pika e nisjes është suksesi në Botëror ndaj Argjentinës, për të cilën Mançini ka bërë edhe pak humor: “I falënderoj ata lojtarë, sepse lejuan Italinë time të ishte akoma skuadra me rekordin e pathyeshmërisë. Në atë ndeshje Arabia luajti futboll të mirë dhe shënoi dy gola të bukur”.

Mançini prezantohet si trajner i Arabise Saudite. Gazeta Si, 28 gusht 2023

Më pas Mançini vazhdoi: "Kam ardhur për të fituar. Do të nisim menjëherë punën dhe gjithçka do të jetë ndryshe. Objektivi i parë është të fitojmë kupën e Azisë, që Arabisë i mungon prej 26 vjetësh. Na duhet kohë që të punojmë dhe djemve u duhet atmosfera e duhur që të përmirësohen.

Në punën tonë është gjithmonë e vështirë. Italinë e mora 3 ditë para se të luanim pikërisht ndaj Arabisë. Kam parë lojtarët tashmë dhe kam nisur t’i studioj. Duke punuar mirë, jemi të sigurt se do ta mësojmë skuadrën të sulmojë më mirë dhe të shënojë më shumë. Kemi besim te të rinjtë, dimë që tek ekipi U-21 ka lojtarë interesantë dhe do të investojmë tek ata për të mirën e Arabisë".

Trajneri italian komentoi pastaj edhe boom-in në merkaton saudite: "Mendoj se për kampionatin saudit do të jetë pozitive që vijnë gjithë këta yje, sepse mund të ndihmojnë në ngritjen e nivelit. Ka ndodhur edhe në Itali, ku shumë të huaj kanë përmirësuar nivelin”.

Për ambicjet në krye të Arabisë, Mançini theksoi: “Nuk jam një magjistar, mënyra jonë për përmirësimin është puna. Mund t’u them tifozëve që do të punojmë fort, sepse duam që të fitojmë diçka të rëndësishme. Ka talent në skuadër dhe e vetmja gjë që mund të them është se duam të ndërtojmë diçka të rëndësishme në Arabi. Renard ka bërë një punë të mirë. Ne do të punojmë me ekipin fillimisht dhe më pas do të zgjedhim sistemin e lojës”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë