Futboll

Manchester City largon kupat nga muzeu i klubit…i sjell në Tiranë!

Nga Gazeta Si- Pep Guardiola dhe Manchester City janë kthyer në një fenomen, në garë për të mposhtuar shprehjen që “paraja nuk blen suksesin”. Në Fakt, pas shumë vitesh, në edicionin e kaluar ata arritën për herë të parë objektivin për të cilin kishin shpenzuar dhe zgjedhur trajnerin spanjoll, Champions League, të parën në historinë e tyre. Sot ata janë në prag të kualifikimit për në gjysmëfinale, pas barazimit 3-3 në ndeshjen e parë në “Bernabeu” me Realin e Madridit, në “Etihad Stadium”, ata ndihen më të sigurtë se mund t’ia dalin, kur nesër do të zhvillohet ndeshja e kthimit.

Por ndërkohë që City do të “vrapojë“ drejt trofeut të dytë më të madh në Europë të klubeve, në Tiranë, do të jetë trofeu i tyre i parë I fituar. Salla “Kod” e kryeministrisë do të shndërrohet në hollin e trofeve të klubit të Premier League, pasi do të ekspozohen trofetë e Manchester Cityt për herë të parë në Shqipëri.

Ndoshta Manchester City është një ndër kubet e rinj më të suksesshëm të Premier League, ndryshe nga Liverpool, apo rivalët e tyre të përjetshëm të Manchester United, por padyshim është klubi më trend i momentit dhe nëse nuk krahasohet me trofetë e klubeve të sipërpërmendur, kjo nuk do të thotë se ka fituar pak.

Manchester City është 9 herë fitues i Premier League, në 6 edicionet e fundit e ka fituar pesë herë kampionatin më të fortë dhe më të bukur të kontinentit të vjetër. Gjithashtu ata janë edhe kampionët në fuqi pasi edicionin e kaluar arritën të fitonin garën me Arsenalin. Megjithatë vetëm javën e shkuar ata u rikthyen në krye të kampionatit anglez duke përfituar nga hapat fals të dy garuesëve të tjerë për titullin e këtij sezoni, Arsenalit dhe Liverpoolit.

Për të vazhduar me trofetë, City ka fituar 7 herë Kupën e Anglisë, është gjithashtu mbajtësi aktual i këtij trofeu, 8 herë ka fituar Carabao Cup, kupa e ligës, 6 herë Super Kupën e Anglisë, 1 Champions League, 1, Superkupë Europe, 1 Botëror Klubesh dhe trofe të tjerë të një rëndësie më të vogël, kupa të cilat do të jenë në kryeqytetin tonë, kjo edhe në kuadër të projektit që ky klub ka me akademinë e re të qytetit të Durrësit e cila ende është në fazë projekti.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë