Futboll

Mançester Siti fiton në KAS, i hiqet dënimi 2-vjeçar nga Kupat e Europës

Festë për Mançester Sitin. Klubi anglez ka dalë fitimtar në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv (KAS) në Lozanë. Skuadrës së trajnerit Pep Guardiola i është hequr dënimi 2-vjeçar i UEFA-s për të mos marrë pjesë në Kupat e Europës për dy sezone.

KAS-i, pas ankimimit të bërë nga Mançester Sitit, ka shqyrtuar çështjen dhe e ka hedhur poshtë skualifikimin e vendosur nga UEFA në muajin shkurt. Në atë kohë “qeveria” e futbollit europian dha dënimin për përjashtimin nga Kupat e Europës për dy sezonet e ardhshme me argumentin se klubi anglez kishte shkelur rregullat e “Fair-Play”-it financiar.

Mbetet në fuqi gjoba prej 10 milionë euro për Sitin, por kjo është e papërfillshme për këtë skuadër që tashmë fiton qetësinë e duhur për t’i shkuar deri në fund sezonit aktual të Ligës së Kampionëve. Klubi i financiar nga sheikët mund të vazhdojë me projektet që ka pasur për të ardhmen e klubit. Këtë sezon Siti humbi titullin dhe tashmë të gjitha “bateritë” do të shkarkohen në Ligën e Kampionëve. Ekipi i Guardiolës e ka fituar 1-2 ndeshjen e parë të fazës së 1/8-ve ndaj Real Madridit dhe kalimi në çerekfinale duket shumë pranë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë