Politike

Manastirliu: Sot vijnë 8190 doza vaksinash nga kontrata me Pfizer

Gati dy javë pas marrjes së parë të dërgesës së pare nga kompania farmaceutike Pfizer, Shqipëria merr sot dërgesën e dytë prej 8190 doza vaksinash.

Lajmi është bërë i ditur nga ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, e cila ka deklaruar sot nga foltorja e Kuvendit se dozat vijnë si pjesë e marrëveshjesh që vendi jonë ka me Pfizer. Ajo tha se deri më tani në vendin tonë kanë mbërritur mbi 8 mijë doza vaksinash.

“Virusi sot një vit më parë ishte thjeshtë një lajm nga bota. Kjo ishte një krizë që e vuri në test sistemin tonë shëndetësor. Bota sot është e ndarë në dy kategori shtetesh, Ata që e kanë nisur fushatën e vaksinimit dhe ata që nuk kanë siguruar asnjë dozë vaksinë”, deklaroi ministrja. “Janë 140 vende që nuk e kanë nisur ende vaksinimin. Ne jemi ndër vendet që e kemi nisur vaksinimin. Shqipërisë i është dashur të bëjë një kontratë me Pfizer. Kanë mbërritur mbi 8000 doza deri tani dhe pritet lëvrimi i 8190 dozave të tjera sot”, tha Manastirliu.

Ministrja e Shëndetësisë foli për kategoritë e të vaksinuarve në vend, duke theksuar se deri më tani kanë marrë vaksinën 4600 mjekë dhe infermierë. “Sot kemi mbi 400 jetë të moshuarish në azile, të moshuarish mbi 80 vjeç dhe kujdestarësh, më të mbrojtura për shkak të fillimit të vaksinimit”, u shpreh Manastirliu.

Ajo komentoi po ashtu reagimet për vendimin e qeverisë për të vaksinuar fillimisht personalitetet publike, por deklararuar se dezinformimi që ushqeu më tej disa reagime të pajustifikueshme.

“Vërtet janë personalitete që i bëjnë nder këtij vendi dhe shoqërisë tonë, por ama kriteri dhe vetëm kriteri i moshës u mundësoi të ishin pjesë e një procesi që filloi me të moshuarit në azile. Do të vijojë dhe me +80 vjeçarë të tjerë, sipas planit për çdo fashë të grupmoshës mbi 80 vjeç”, u shpreh Ministrja e Shëndetësisë.


Copyright © Gazeta “Si”




Më Shumë