Lajme

Manastirliu: Dyfishohet numri i grave që kryejnë mamografinë falas

“Rritja e ndërgjegjësimit dhe zgjerimi i mundësisë për të marrë shërbimin e mamografisë afër vendbanimit, ka bërë që numri i grave që kryejnë mamografinë të dyfishohet vetëm në një vit”.
Kështu deklaroi ministrja e Shëndetësisë Ogerta Mansatirliu, gjatë takimit të grave në politikë, e cila organizohet nga YWCA Shoqata Kristiane e Grave Shqiptare e krijuar për të kontribuar në fuqizimin e grave dhe të vajzave shqiptare përmes mbrojtjes së të drejtave të tyre. Ky takim u organizua duke pasur qëllim primar krijimin e mekanizmave mbrojtës kundër diskriminimit në punë të grave që vuajnë nga kanceri i gjirit.
Duke përcaktuar parandalimin, si mënyra më e mirë për të ulur kostot shëndetësore dhe sociale, Ministrja Manstraliu u shpreh se anketa e fundit demografike për shëndetësinë në vitin 2018 tregon se 98 përqind e grave kanë njohuri për masat parandaluese dhe se beteja me kancerin e gjirit mund të fitohet nëse kapet në kohë.
“Kemi të dhëna optimiste sepse jo vetëm ka më shumë ndërgjegjësim për kryerjen në kohë të kontrolleve që mundësojnë diagnostikimin e hershëm, por edhe trajtimi është përmirësuar. Ishte një problematikë më shumë se 20-vjeçare, por sot kemi zgjidhur një herë e mirë mbulimin me herceptinë për të gjitha gratë që kanë nevojë për këtë terapi të kushtueshme kundër kancerit të gjirit,” u shpreh Manastirliu.
Ndër të tjera ajo tha se kjo kauzë i bën të gjitha gratë bashkë, për të ngritur zërin edhe për ato gra që nuk kanë zë e nuk përcjellin diskriminimin në vendin e punës, apo çdo shkelje të të drejtave të tyre.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë