Lajme

Manastirliu: Numri i të infektuarve dhe të shtruarve është rritur

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastiliu ka thënë se pas hapjes graduale Shqipëria ka ende transmetime komunitare të infeksionit në Tiranë, Shkodër dhe Durrës.

Nëpërmjet një statusi në rrjetin social “Facebook” Manastirliu tha se kemi të prekur dhe shtim të numrit të pacientëve në Spitalin Infektiv.

“Që kur vendosëm për rihapjen, kemi ndarë me ju besimin se gjërat do të shkojnë mirë, vetëm nëse plotësohet një kusht themelor: bashkëpunimi i qytetarëve. Normaliteti i ri nuk do të jetë kurrë si ai i para Covid-19, për sa kohë që asnjë vend i botës nuk ka mundur të gjejë ende, as kurën, as vaksinën.

Për këtë arsye, asnjëri nga ne nuk mund t’i lejojë vetes që, pas rihapjes, të relaksojë dhe neglizhojë masat individuale të higjienës dhe distancimit soial, apo edhe të protokolleve. Sepse kjo do të ishte një “recetë” për përhapje të shpejtë të infeksionit.

Në situatën ku ndodhemi sot, e cila ishte brenda pritshmërive tona kur planifikuam rihapjen, është e domosdoshme që gjithë secili të marrë përgjegjësitë e veta qytetare, me qëllim që të ruajë veten dhe të tjerët,” shkruan Ministrja

Më tej ajo ka deklaruar se sistemi shëndetësor është në nivelin më të lartë të gatishmërisë dhe puna në terren nuk është ndalur për asnjë çast, për zbulimin e çdo rasti dhe kontakti, për të këputur zinxhirin e infeksionit, edhe pse mjekët mund të bëjnë pak pa bashkëpunimin e qytetarëve, ashtu siç ka ndodhur që në ditën e parë të kësaj luftë.

“Ju lutem dëgjojini thirrjet e tyre, dhe informohuni vetëm nëpërmjet institucioneve përgjegjëse shëndetësore. Ju lutem, të mos e ulim vigjilencën dhe të mbrojmë veten, të afërmit, miqtë tanë. Ju lutem, vazhdojmë të bashkëpunojmë për të mos e çuar dëm sakrificën e këtyre muajve, kur të gjithë bashkë, qeveri dhe shoqëri dhamë një shembull të shkëlqyer të bashkëpunimit në mbrojtje të shëndetit, nëpërmjet zbatimit të rregullave të higjienës dhe distancimit fizik, si dhe protokolleve të nxjerra nga institucionet shëndetësore,” shkruan më tej Manastirliu


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë