Lajme

Mallra kontrabandë nga Kapshtica, 1 i arrestuar, 2 të proceduar

Policia e Korçës ka arrestuar në flagrancë një shtetas dhe ka proceduar penalisht dy të tjerë, pasi transportonin mallra kontrabandë. Njëri prej të proceduarve mësohet se është me detyrë doganier pranë Doganës të Kapshticës.
Policia bën me dije se është arrestuar shtetasi N. V, 42 vjeç, banues në Korçë.
Ndërkohë janë proceduar penalisht në gjendje të lirë shtetasit N. B, 58 vjeç, banues në Durrës (me detyrë doganier pranë Doganës së Kapshticës) dhe E. SH, 22 vjeç, banues në Tiranë.
Siç njofton policia, pas informacioneve të marra se në autobusët e linjave Athinë-Shqipëri dhe Turqi-Shqipëri, transportoheshin mallra të dyshuara kontrabandë, ka ushtruar kontrolle në aksin rrugor Kapshticë-Korçë, në afërsi të fshatit Zëmblak, në mjetin autobus tip “Setra”, me drejtues shtetasin N. V., si edhe në mjetin autobus tip “Benz” në të cilin udhëtonte si pasagjer shtetasi E. SH.
Nga kontrolli janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale:
50 kg midhje (shpuese shkëmbi), produkt i ndaluar që prej vitit 2013, për të hyrë dhe për t'u tregtuar në Republikën e Shqipërisë.
Një sasi medikamentesh, veshjesh dhe pajisjesh të ndryshme, të cilat shtetasit e mësipërm dyshohet se i kanë kaluar kontrabandë, pa i deklaruar tek autoritetet doganore në Kapshticë.
Shtetasi N. B, dyshohet se ka shpërdoruar detyrën, duke mos ushtruar kontroll në mjetin tip “Setra”, me drejtues shtetasin N. V.
Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës të Shkallës së Parë Korçë për veprat penale “Kontrabanda me mallra të ndaluara”, “Kontrabanda me mallra të licencuara”, “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë”, “Kontrabanda me mallra të tjera” dhe “Shpërdorimi i detyrës”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë