Art dhe Kulture

“The Sun”, shqiptarët shpresojnë në Eurovizion

Pas finales së madhe të Eurovizion, “Malli” i Eugent Bushpepës përfundon edhe në faqet e mediave më prestigjoze në botë. Tabloidi “The Sun” shkruan në edicionin e tij online për këngëtarin shqiptar.

“Shqipëria ka varur shpresat tek Eugent Bushpepa për të marrë në shtëpi çmimin e madh”. Kështu e nis artikullin tabloidi britanik, që më pas u përgjigjet pesë pyetjeve rreth këngëtarit shqiptar, Shqipërisë dhe vetë Eurovizionit.

Kush është Eugent Bushpepa?

I lindur në Rrëshen më 2 korrik të vitit 1984, në rrethin e miqëve dhe të afërmve thërritet si Genti. Muzika ishte ëndrra e tij dhe për ta realizuar këtë nisi të këndojë që në moshë të re. Në 2006 iu bashkua Top Channel si këngëtar në një talk show (Top Show).

Që prej asaj kohe, ka qenë pjesë e skenave muzikore shqiptare.

Ngadalë u shndërrua në një prej këngëtarëve më të mirë në vend dhe mbështetës në koncertet e Deep Purple dhe legjendës Ron Thal të Guns N’Roses.

Pavarësisht se këndon si profesionist që prej vitit 2006, nuk ka publikuar asnjë album, por ka zgjedhur që herë pas herë të dalë me një numër këngësh të ndryshme.

Si u zgjodh ai për të përfaqësues Shqipërinë?

Eugent Bushpepa konkurroi në edicionin e 56-të të Festivalit të Këngës, një kompeticion televiziv që mbahet në tre netë. Edicioni i fundit u mbajt në 15-vjetorin e përcaktimit të këngës fituese si përfaqësuese të Shqipërisë në Eurovizion. Këngëtari u shpall fitues nga një juri profesionistësh duke mposhtur konkurrencën e fortë me një numër këngëtarësh të dashur për publikun.

Me çfarë këngë po performon në Eurovizion?

Bushpepa këndon një këngë të shkruar posaçërisht për Eurovizionin dhe që e këndoi edhe tek Festivali i Këngës. Kënga titullohet “Mall”, tekstin e ka shkruar ai vetë dhe e këndon atë në gjuhën e lindjes; shqip.

Kur iu bashkua Shqipëria Eurovizionit dhe a e ka fituar ndonjëherë?

Shqipëria ka marrë pjesë 14 herë në Eurovizion, që prej debutimit në vitin 2004. Pjesëmarrja organizohet nga Radiotelevizioni Shqiptar. Fillimisht kërkoi që të ishte pjesë që në vitin 2003, së bashku me disa vende të tjera, por u anulua për faktin se kompeticioni nuk ishte gati për të zgjeruar numrin e pjesëmarrësve.

Renditjen më të mirë në Eurovizion, Shqipëria e ka regjistruar në vitin 2012 me Rona Nishliun dhe këngën Suus, që u rendit e pesta në festivalin e organizuar në Baku të Azerbajxhanit. Renditja më e dobët ishte në vitin 2007, e 17-ta në gjysmëfinale.

Kur dhe ku po zhvillohet Eurovizioni 2018?

Edicioni i 63-të i Eurovizion nisi të martën dhe mbyllet me finalen e madhe të së shtunës, 12 maj. Zhvillohet për herë të parë në Portugali, në Altice Arena të Lisbonës. Portugalia fitoi për herë të parë një Eurovizion në vitin 2017 në Kiev me këngën Amar Pelos Dois, e kënduar nga Salvador Sobral.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë