Politike

Maliqi debat me Gjonajn, sulmon drejtorin e Burgjeve: Ka të kaluar të errët

Interpelenca e thirrur nga deputeti Lefter Maliqi për situatën në sistemin penitenciar (burgjet) në Shqipëri shkaktoi përplasje me ministren e Drejtësisë, Etilda Gjonaj. Deputeti demokrat, që përpara se të merrte mandatin ka qenë zv.drejtori i Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, ka sulmuar ashpër drejtorin aktual, Agim Ismaili, duke e akuzuar si me të kaluar të errët dhe të paaftë. Gjithashtu Maliqi u shpreh se drejtori aktual po kërcënon dhe shantazhin punonjësit e burgjeve.
Gjatë fjalës së tij deputeti deklaroi se Ismaili nuk plotëson kriteret për të qenë në krye të këtij institucioni dhe se të gjitha detyrat shtetërore që ka ushtruar më herët, është pushuar nga puna pasi është gjetur në shkelje të ligjit.
“Ju keni emëruar drejtor të përgjithshëm të burgjeve një njeri me probleme shumë të mëdha, unë iu kam shprehur shqetësimin edhe juve edhe zotit kryeministër. Meqë iu dhimbset drejtoria e Burgjeve, e para çfarë shkolle ka mbaruar ky person? Se më rezulton që ka mbaruar Kristalin, e dyta a e keni parë të shkuarën e tij që është liruar nga policia ku akuzohej për lidhje ndërkombëtare me drogën, ka dalë në përgjime me Sokol Koçiun? Në 2004 shkarkohet për paaftësi në detyrë, për fyerje dhe shantazhe. Tani bëhet drejtor i përgjithshëm i burgjeve, nuk i njeh, për katër muaj ka shkuar vetëm një IEVP Fier, por çon e-mail, shantazhon, drejtorët nuk i pret në takime. Tenderat në drejtorinë e burgjeve bëhen te ministria e Brendshëm, pasi ka nipin që punon si sekretar i Përgjithshëm”, deklaroi Maliqi.

Deputeti demokrat Lefter Maliqi


Ai gjithashtu e cilësoi si skandaloze përplasjen mes drejtorit Ismaili dhe drejtorit të Policisë së Burgjeve, Bardhul Kaçorri. “Kërcënime dhe shantazhe me drejtorin e policisë së burgjeve, i kanë parë në media besoj skandalet me emaile. U thotë policëve kaqolë, iu drejtohet me dordolecë, duke ia shpjeguar dhe çfarë, një dordolec, quan kandar burgun e Vaqarrit. Ky njeri ka marrë edhe kompetenca të jashtëzakonshme. Ai shantazhon të gjithë punonjësit dhe drejtuesit, ka kërkuar të shkarkojë dy- tre herë kunatin e n/ kryetares së Kuvendit. Një ditë mund të plasë me këtë situatë, administrata duhet mbrojtur, merrni masa zonja ministre”, u shpreh Maliqi, i cili kontestoi emërimet në burgje.
Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj si kundërpërgjigje deklaroi se Maliqi gjatë kohës që ka qenë zv.drejtor i Përgjithshëm i Burgjeve nuk ia bërë asnjëherë prezent këto shqetësime. Madje Gjonaj iu drejtua që Maliqi këto fakte që disponon duhet t’ia paraqesë prokurorisë. Por ministrja e ka mbrojtur emërimin e Ismailit, duke theksuar se ai ka qenë verifikuar përpara se të merrte një detyrë të tillë.

Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj në interpelancën e sotme


“Për sa i përket drejtorit të përgjithshëm të burgjeve ka qenë në bazë të meritës. Nuk do t’ja lejoja vetes, që të thoja për rezultatet e meritës, të gjithë drejtuesit e drejtorisë së përgjithshme kanë qenë në nivel mjaft të mira, por ajo që ka qenë për sa i përket sigurisë në burgje dhe pse ne morëm masa si bllokimi i valëve të celularavë, etj”, theksoi Gjonaj.
Më tej ministrja u shpreh se nuk do të ketë punësime në Policinë e Burgjeve pa kaluar testimin në Akademinë e Sigurisë. “E keni parë nga afër situatën për 1 vit e gjysmë zoti Maliqi. Siguria në institucione është garantuar. Gjendja në të cilën e gjetëm në 2017 ishte e mjerueshme edhe për mungesën e sigurisë dhe kushtet e infrastrukturës ku ndodheshin të dënuarit. Në më pak se dy vite kemi bërë ndryshim rrënjësor duke e kthyer në një sistem të sigurt. Ndryshuam rekrutimin e stafit. E shikonin drejtorin për të bërë ndere partiake dhe e shikonin pozicionin për përfitime. Në sirtarët e atyre që i kishin harruar u gjetën lista të punësimeve sipas zonave të deputetëve dhe përfitime votash. Por tani çdo rekrutim realizohet në bazë të njohurive. Punonjësit e burgjeve duhet të kenë një trajtim më të mirë financiar. pagat u rritën me 7%. Një numër i stafit ishte punësuar jashtë kritereve, 130 persona kishin rekorde penale dhe u shkarkuan nga detyra. Gjendja ka lënë për të dëshiruar. Raportet kanë propozuar mbylljen e institucioneve të Krujës dhe Sarandës. Kam vendosur konservimin e dy institucioneve të Krujës dhe Sarandës që të shkojë drejt mbylljes, pasi janë të amortizuara”u shpreh Gjonaj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë