Treg

Makinat elektrike në Shqipëri u dyfishuan në 2022. Bie miti i Benzit, Volkswagen më e preferuar

Nga Gazeta ‘SI’ - Në vitin 2022, numri i makinave elektrike në Shqipëri u rrit me 100% nga viti 2021. Por në shifra, ajo është ende modeste, vetëm 1.245. Ato me naftë dominojnë ende tregun, me rreth 74% të totalit, me një rritje rreth 10% në raport vjetor sipas INSTAT.

Një tjetër tregues jo shumë pozitiv për tregun e automjeteve në Shqipëri është ai i vitprodhimit. Pothuajse gjysma e tyre (41%) janë më të vjetra se 20 vite dhe vetëm 6% me 10 vite ose më pak. Gjithsesi trendi është pozitiv pasi prodhimet e 10-vjeçarit të fundit, janë rritur me 27%.

INSTAT tregon po ashtu se po bie ‘miti’ i shqiptarëve që duan makinat Benz. Edhe pse mban ende vendin e parë, 116 mijë mjete në qarkullim me këtë logo, Volkswagen po i afrohet shumë shpejt, me 115 mijë makina. Marka e tretë më e preferuar është DAIMLER CHRYSLER (10.4%) e ndjekur nga Ford (9.6%), Opel (5.2%), Audi (5.8%), Fiat (3.9%); Toyota (4.6%), BMË (3.4%); Renault (3.4%).

Të dhënat e INSTAT bënë të ditur se në vitin 2022 në vend kishte gjithsej 639.379 autovetura, që përbënin 80.3% të totalit të mjeteve gjithsej në vend 796.438 mjete gjithsej me status “aktiv” dhe “të çregjistruar përkohësisht”). Pjesa tjetër përbëhet nga “Automjetet për transport të përzier” (6,5%) dhe “Motor” (5,4%).

Në vitin 2022, numri i autoveturave për pasagjerë për 1.000 banorë është 232. Në vitin 2021, ky tregues ishte 212 autovetura për 1.000 banorë.

Në vitin 2022, numri i autoveturave për pasagjerë për 1.000 banorë në qarkun Durrës është 301, i ndjekur nga qarku Lezhë me 287 autovetura për 1.000 banorë. Qarku me numrin më të vogël të autoveturave për pasagjerë për 1.000 banorë është qarku Korçë me 165 autovetura për 1.000 banorë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë