Ekspozite

Makina e shkrimit nga mjet represioni, në instrument për art

Në fillim të viteve ’70 , në atë që quhej Republika Demokratike Gjermane, piktorja Ruth Wolf-Rehfeldt  zgjedh makinën e shkrimit si mjetin kryesor për të prodhuar art. Deri atëkohë, në anën lindore të Perdes së Hekurt, makina e shkrimit kishte të tjera ngjyresa në vetëdijen kolektive. Ishte mjeti, ku shtypshkrueset godisnin mbi taste  rrëfimin e dikujt që merrej në pyetje nga policia sekrete apo agjenci të tjera shtetërore.“Ruth e dinte, se nën regjimin që jetonte makina e shkrimit përdorej si mjet shtypjeje, por duke e zgjedhur atë si mjet për të krijuar art, në një mënyrë ajo po çlironte. Një akt çlirimi ku ajo thotë: Do ta bëj sipas mënyrës sime”, kështu shprehet Sven Spieker, kuratori i ekspozitës “Kolazhe dhe Edicione” të artistes gjermane Ruth Wolf-Rehfeldt, e cila çelet më 12 tetor në Galerinë Kombëtare të Arteve.

Kuratori i ekspozitës, z. Sven Spieker. Drejtori i Galerisë z. Erzen Shkololli dhe Znj. Martina Held nga Ambasada Gjermane në Shqipëri

Në moshë të shkuar, në mes të të tetëdhjetave, artisja e njohur kryesisht për poezitë pamore dhe artin postar, e ka të pamundur të udhëtojë drejt Shqipërisë, shton kuratori, i cili e sheh këtë ekspozitë në  Tiranë me shumë kuptim, duke qenë se vetë artistja e di mirë ç’do të thotë të jetosh në një vend të izoluar të Bllokut Komunist. Në krijimet e saj  Wolf-Rehfeldt ka përdorur dy modele të ndryshme të makinave të shkrimit të tipit Erika të RDGJ-së duke kthyer germat e tyre standarde në valë dinamike, rrjedha simbolesh dhe struktura poezish të ndërtuara me presje, pikëçuditëse e shkronja.Kur Ruth-i  vendosi të mos përdorte duart – siç bëjnë kryesisht artistët e arteve plastike – por makinën e shkrimit, kuratori thotë se ajo bëri vetëdijshëm një zgjedhje që do e kufizonte, duke mos përdorur të gjithë gamën e lëvizjes që kanë duart. “Por me këtë zgjedhje, ajo iu përgjigj kushteve në cilat jetonte. Po kopjonte në një farë mënyre ato kushte politike dhe ekonomike dhe po kufizonte veten si artiste për të thënë përmes atij arti mënyrën sesi jetonte”.

Makina e shkrimit është thelbësore në këtë ekspozitë, e cila vjen në kuadër të javëve kulturore gjermane apo siç njihet ndryshe Tetori Gjerman, i cili ka hyrë në edicionin e tij të dymbëdhjetë.Pas rënies së Murit të Berlinit, më 1989-ën, Wolf-Rehfeldt vendos të heqë dorë nga arti.Një veprim i pazakontë, por për të cilin artistja e kishte një shpjegim.Bëri art, duke ndjerë se i përgjigjej kushteve në të cilat jetoi dhe me rënien e kësaj ndarjeje, mendoi se arti i saj nuk nevojitej më.Gjatë periudhës së kaluar në atë që quhej Europa Lindore – Gjermania nga ana tjetër e murit – ishte aktive në artin postar. Krijoi një rrjet artistësh, me të cilët hyri në letërkëmbim duke dërguar krijimet e saj me makinën e shkrimit. “Shumë nga këto krijime në ekspozitë ishin krijuar për artin postar” shpjegon më tej Sven Spieker. Ishte një mënyrë gjeniale për të komunikuar me autorë jashtë izolimit të një vendi komunist, ku udhëtimi  jashtë shtetit ishte thuajse i pamundur.

Ekspozita e saj e plotë, vjen për herë të parë në një vend të Europës Juglindore, por Spieker rrëfen se ka pasur disa ekspozita në Poloni dhe Cceki, gjatë kohës kur ajo ishte aktive në art, por të realizuara në kushte tejet të kufizuara. Ekspozita, në katin e tretë të Galerisë Kombëtare të Arteve, është e ndarë në dy pjesë: Kolazhet dhe Edicionet, ndërsa arkitektura e saj, me vitrinat brenda së cilave janë vendosur krijimet e saj formojnë një prej figurave të krijuara me shtypshkrim, përmes arkitektes Johanna Meyer-Grohbruegge.

Ruth Wolf-Rehfeldt

Wolf-Rehfeldt përdorte letër karboni për të bërë kopje të punëve të saj me makinë shkrimi, ndërkohë që shfrytëzonte edhe mjetet e Shoqatës së Artistëve për të printuar deri në pesëdhjetë kopje të tjera – që ishte maksimumi i kopjeve që lejoheshin në ish-RDGJ. Shumë nga këto fletë qarkulluan në rrjetin ndërkombëtar postar, pjesë e të cilit, me plot energji dhe entuziazëm, ishin edhe Ruth me bashkëshortin e saj Robert. Studio e tyre në Mendelstrasse, në lagjen Pankoq të Berlinit Lindor, mbeti një nyje e veprimtarisë së artit postar ndërkombëtar – deri në vitin 1989: pas rënies së Murit të Berlinit, Wolf-Rehfeldt vendosi t’i jepte fund prodhimit të artit me anë të shtypshkrimi. Sipas saj, nuk ekzistonte më nevoja për to.

Në vitin 1981, pas një aksidenti të rëndë trafiku, ajo filloi të prodhonte kolazhet e para, ku krahas makinës së shkrimit ka përdorur edhe pjesë të prera nga revista dhe gazeta dhe  me riprodhime të pikturave të hershme të saj në bardh e zi.. “Disa herë përdor figura, disa herë është më abstrakte”, thotë kuratori. “Në mesin e imazheve të saj arkitekturale, shpesh herë dallojmë kulla dhe kafazë: Wolf-Rehfeldt nuk e fsheh faktin se ndjehej e kufizuar nga mbikëqyrja e rreptë e regjimit nën të cilin jetonte. Megjithatë, duke zgjedhur punën e daktilografistes – profesion ky stereotipikisht femëror – ajo jo vetëm që arriti të përcaktojë  përmbajtjen e asaj çfarë shkruante në letrat e saj, por edhe të zbulojë  poezi aty ku të tjerët nuk e shihnin.”  

Në një prej krijimeve ajo  ka përdorur fjalën “letter” në gjuhën angleze, ndërsa me të ka formuar figurën e kapakut të zarfit, në një tjetër zarfi është krijuar nga germa, ka poezi konkrete, fjalë që marrin edhe kuptim politik, edhe pse artistja nuk ka qenë artiste politike. Ashtu siç një matematikan do ta shihte universin të përbërë nga përsosmëria e  numrave,  Ëolf-Rehfeldt krijon forma, figura, sfera e planetë me anë të germave të shtypura.Ekspozita do të jetë e hapur për publikun deri më 12 janar të vitit që vjen.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë