Kinema

“Makbeth” hap siparin e Festivalit Mbarëkombëtar të Teatrit

Mbrëmjen e të mërkurës u çel konkurrimi i Festivalit Mbarëkombëtar të Teatrit.

Shfaqja e parë e këtij festivali ka qenë “Makbeth” nga W. Shekspir dhe me regjinë e Diana Dobreva. Ky projekt është një shfaqje e vënë në skenë nga trupa profesioniste e teatrit të Shkupit në Maqedoninë e Veriut.

Publiku mbrëmjen e djeshme ka ndjekur një “Makbeth” ndryshe, ku elementë të rëndësishëm ishin mjeshtëria e interpretimit të aktorëve në këtë shfaqje si dhe dekori dhe objektet minimale të përdorur.

Ideja që njerëzit luftojnë kaq gjatë për pushtetin në jetën e tyre kaq të shkurtër dhe vdekja e besimit në jetë, erdhën më së miri në këtë shfaqje. Ambicja dhe nevoja për pushtet të çojnë deri në humbjen e botës shpirtërore dhe madje deri në skizofreni.

Në këtë shfaqje elegante interpretuan aktorët: Muzbajdin Qamili në rolin e mbretit Makbeth, Teuta Ajdini Jegeni, Beqir Nuredini, Vebi Qerimi. Zonja Makbeth u interpretua nga Drita Kaba Karaga, magjistrica nga Amernis Nokshiqi. Aktorë të tjerë janë Zarije Jonuzi, Mirlinda Saiti, Fisnik Zeqiri, Genci Mirzo etj.

Festivali Mbarëkombëtar i Teatrit do të vazhdojë deri më datë 15 mars, mbrëmje ku do të ndahen edhe çmimet për shfaqjen më të mirë, aktorët më të mirë dhe të tjera kategori të rëndësishme.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë