Rend dhe Ligj

Magjistratët e rinj, SHBA: Sytë hapur ndaj korrupsionit, jeni shpresa


Si në çdo tetor edhe këtë vit është zhvilluar ceremonia e diplomimit të Magjistratëve të rinj, që do të jenë pjesë e sistemit të ri të drejtësisë, me gjyqtarë e prokurorë. Në praninë e ambasadorëve të SHBA-së, BE-së dhe OSBE-së u zhvillua kjo ceremoni ku u dhanë mesazhe të forta për prokurorët dhe gjyqtarët e rinj që do të punësohen pas reformës në drejtësi. Ambasadorët bënë apel të gjithë magjistratëve të diplomuar, gjyqtarë dhe prokurorë që të mbajnë sytë hapur kundër pabarazisë dhe korrupsionit për t'i luftuar. Gjatë aktivitetit që u zhvillua sot te godina e 'Polit të Drejtësisë' për diplomimin e magjistratëve që përfunduan studimet në programin e formimit fillestar gjatë periudhës 2016-2019, e ngarkuara me punë e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara Leyla Moses-Ones në Tiranë tha se Amerika nuk do të ndalet së mbështeturi Shqipërinë për zbatimin e plotë të reformës në drejtësi.

E ngarkuara me punë e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara Leyla Moses-Ones duke folur në ceremoninë e sotme. Gazeta Si, 7 tetor 2019

"SHBA e mbështet Shqipërinë në transformimin e sistemit të drejtësisë. Vite më parë një grup i lartë zyrtarësh amerikanë qëndruan para disa studentëve ku u përpoqën të japin leksionet e tyre lidhur me drejtësinë në vende të ndryshme të botës. Ju mund të jeni pjesë e diçkaje më të madhe se vetja juaj, mund të zgjidhni për t'i dhënë progres reformës në drejtësi për të ecur përpara dhe ju jeni kryesorë. Përpjekjet tuaja do të jenë mjaft të rëndësishme për sistemin e ri të drejtësisë në Shqipëri. Do të merrni vendime për një sistem drejtësie transparent për të luftuar korrupsionin. Ju do të flisni për sistemin e ri të drejtësisë, do të respektohet çdo individ. Ju bëj thirrje për një Shqipëri më demokratike, të përfaqësoni profesionin tuaj të ri në mënyrë të suksesshme. Duhet ti mbani sytë hapur ndaj pabarazisë dhe korrupsionit, jeni vigjilent ndaj tyre. Secili mund të japë shpresa për këtë vend dhe nëse bëheni bashkë përpjekjet tuaja do të krijojnë diçka mjaft të rëndësishme. Është momenti juaj për të qenë pjesë e diçkaje të madhe" tha ajo.
Diplomatja amerikane e cilësoi reformën në drejtësi si një revolucion të qetë dhe me një konsensus politik, duke i kërkuar që të diplomuarit e rinj të jenë vala e shpresës dhe e ndryshimit.

Ambasadori Luigi Soreca. Gazeta Si 7 tetor 2019


Ambasadori i BE-së në Shqipëri Luigi Soreca ka inkurajuar gjeneratën e re të prokurorëve dhe gjyqtarëve që janë diplomuar. "Nuk ka më keq se padrejtësia apo drejtësia e vonuar. Gjykatësit janë si doktorët që mund t'u shpëtojnë jetën. Të gjithë janë krenarë për ju. Mos harroni asnjëherë se keni një përgjegjësi e madhe që keni mbi shpatulla. BE do të vijojë mbështetjen edhe pas studimeve" tha ai. Ndërsa ambasadori i OSBE-së theksoi se gjyqtarët dhe prokurorët e rinj po diplomohen në momentet kur pritet që të ngrihen edhe institucionet e reja të drejtësisë si SPAK dhe BKH.
“Së shpejti do të formohen institucionet e reja të drejtësisë. E ardhmja e vendit varet nga zbatimi i reformës në drejtësi. Duhen luftuar defektet aktuale të sistemit të drejtësisë. Ju inkurajoj që të investoni në sistemin e drejtësisë. Pritjet janë të mëdha, të gjithë kanë besim te ju. Çdo vit dalin prokurorë dhe gjykatës të rinj, kemi bërë trajnime për profesionistët e drejtësisë. Shpresoj që gjërat të shkojnë më mirë edhe më tej. Kemi qenë partner të kësaj shkolle, kemi dhënë mbështetjen tonë për trajnimet” theksoi ambasadori.
Në këtë ceremoni ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj tha se detyra e tyre është e vështirë, në një sistem që po pëson ndryshim rrënjësor, por jo e pamundur.

“Ju keni një mision shumë të vështirë, por jo të pamundur, rikthimin e besimit të publikut te drejtësia. Ju keni në dorë shpatën, për të ndarë drejtësinë nga padrejtësia, dhe çekiçin për t’i dhënë të drejtën atij që i takon. Jam besimplotë se ju do dini të tregoni vlerat tuaja të vërteta, duke i dhënë një perspektivë evropiane drejtësisë sonë”, tha Gjonaj.

Më tej, Gjonaj deklaroi se magjistratët e rinj do kenë më shumë pavarësi dhe një status dinjitoz, me sistemin e ri të drejtësisë, në të cilin po futet vendi.
“Ju keni një mision shumë të vështirë, por jo të pamundur, rikthimin e besimit të publikut te drejtësia. Ju keni në dorë shpatën, për të ndarë drejtësinë nga padrejtësia, dhe çekiçin për t’i dhënë të drejtën atij që i takon. Jam besimplotë se ju do dini të tregoni vlerat tuaja të vërteta, duke i dhënë një perspektivë evropiane drejtësisë sonë. Ju keni fatin historik që të bëni që drejtësia në Shqipëri të përjetojë një kthesë të madhe”, deklaroi ministrja.

Kryeprokurorja Arta Marku duke folur në ceremoninë e sotme. Gazeta Si, 7 tetor 2019


Kryeprokurorja Arta Marku në gjatë fjalës përshëndetëse theksoi se Latinët thoshin se “Dija është fuqi”. Është e vërtetë, por deri në një farë mase. Kjo pasi dija është fuqi nëse përdoret, pra nëse ju veproni, por në mënyrën e duhur….atë të drejtën”.
“Shumë shpejt do e kuptoni përse e kam fjalën dhe do ndesheni me to. Sistemi, pjesë e të cilit tashmë jeni bërë është në reformë të thellë, dhe për këtë arsye, vështirësitë në punë janë më të mëdha. Por, unë jam e bindur se do ia dilni. Besoj në energjitë e reja që do i sillni sistemit dhe jam e bindur se do të ndikoni në përmirësimin e tij, në përmirësimin e imazhit të Shqipërisë, gjë që ne e duam të gjithë”, tha Marku.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë