Ka ndodhur

Magazina kthehet në laborator kanabisi, pronari i vë flakën sapo vjen policia

Një 65-vjeçar është arrestuar dhe një 35-vjeçar është shpallur në kërkim në Korçë, të  akuzuar për kultivim kanabisi. Policia thotë se është arrestuar Robert Naslazi, i cili ishte pronari i magazinës, ndërsa në kërkim është shpallur 35-vjeçari Vasil Xheli.

Të dy këta persona kishin përshtatur magazinën për kultivim kanabisi, nëpërmjet llambave, duke vjedhur energjinë elektrike.

Sipas policisë, kur i riu ka konstatuar në afërsi të magazinës, që përdorej prej tij policinë, i ka vënë zjarrin ambienteve të brendshme të saj, me qëllim që të eliminonte provat materiale dhe është larguar nga vendngjarja, duke mos iu bindur urdhrit për të ndaluar. 

Gjatë kontrollit të ushtruar në magazinë, policia konstatoi vjedhje të energjisë elektrike dhe gjeti të montuara disa pajisje elektrike dhe hidraulike që dyshohet se mund të shërbenin për kultivimin e bimëve narkotike, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. 

Nga këto struktura u procedua penalisht edhe shtetasi R. R., me detyrë përgjegjës i OSHEE-së, i cili dyshohet se ka shpërdoruar detyrën, duke mos ushtruar kontroll në këtë magazinë. Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, për veprime të mëtejshme.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë