Ne rrjet

“Mafia shqiptare është një mit”

Sa të strukturuara janë organizatat mafioze shqiptare? A kanë këto banda lidhje me eksponentë politikë në zonat ku veprojnë. A bashkëpunojnë gangsterët shqiptarë me njëri-tjetrin dhe sa autoritet kanë në botën e krimit? Në një artikull të shkurtër, revista prestigjioze “The Economist” sqaron përse, sipas saj, mafia shqiptare është thjesht një mit…

John Macris po dilte nga shtëpia e tij në Athinë më 31 tetor të vitit të kaluar, kur një burrë vrapoi drejt makinës së tij duke e qëlluar me pistoletë. Macris, një gangster greko-australian, u hodh nga makina në një përpjekje pët të shpëtuar, por personi i armatosur e ndoqi dhe e qëlloi për vdekje.

Disa javë më parë, Silvestre Zottola, i dyshuar si anëtar i familjes kriminale Bonanno, ishte në makinën e tij pranë një restoranti në Nju Jork, edhe ai u qëllua dhe u vra. Ndërkohë Raúl Tamudo, ish-futbollist i njohur u kthye në shtëpinë e tij në Barcelonë në 12 gusht dhe zbuloi se dikush kishte thyer derën dhe kishte vjedhur koleksionin e tij të orëve të shtrenjta, vlera e të cilave arrinte në mbi 100 mijë euro.

Policia tha se kishte dyshime se hajduti i përkiste "mafies shqiptare". Homologët grekë dhe amerikanë gjithashtu fajësojnë shqiptarët për kryerjen dhe urdhërimin përkatësisht të vrasjeve të z. Macris dhe z. Zottola.

Këto ngjarje ishin ndër të shumtat që tregonin një rritje të theksuar të kriminalitetit të gangsterëve shqiptarë. I pyetur për të renditur grupet e krimit të organizuar nga rreziku që ata paraqesin në Europë, një zyrtar i lartë i Europolit, i vuri mafiozët shqiptarë edhe përpara atyre rusëve.

Policia britanike konfirmoi rritjen e veprimtarisë kriminale të këtyre grupeve në trafikun e qenieve njerëzore. Grupet e shqiptarëve në Britaninë e Madhe janë akuzuar madje edhe për tortura për të kontrolluar trafikun e kokainës. Pak muaj më parë, Agjencia Britanike e Krimit ka publikuar një raport ku konstatonte se bandat shqiptare kanë kontroll të konsiderueshëm mbi tregun e paligjshëm të kokainës. Në vlerësimin e saj vjetor të krimit të organizuar, NCA-ja paralajmëronte se bandat nga vendi ynë kanë një ndikim të lartë brenda krimit të organizuar në Mbretërinë e Bashkuar. Duke theksuar se është gjithnjë e më e shqetësuar për grupet kriminale me origjinë shqiptare, agjencia britanike thote se ndër aktivitetet e tyre kryesore janë tregtia e dhunshme e kokainës dhe shpërndarja e saj në Londër.

“Kriminelët nga Ballkani po e zgjerojnë gjithnjë e më shumë rrjetin e tyre të ndikimit, duke lidhur marrëdhënie të drejtpërdrejta me furnizuesit e kokainës në Amerikën Latine. Grupet shqiptare paraqesin kërcënimin më të madh. Londra është qendra e tyre primare, por tanimë ata janë shpërndarë nëpër të gjithë Mbretërinë e Bashkuar”, konstatonte raporti.

Agjencia britanike përcaktonte gjithashtu se shqiptarët përbëjnë vetëm 0.8% të kriminelëve të organizuar në Mbretërinë e Bashkuar, ndërkohë që shtetasit britanikë radhiten në vend të parë (61.6%), të ndjekur nga rumunët dhe pakistanezët. Por ai paralajmëron se ndikimi i grupeve kriminale shqiptarë ishte veçanërisht shqetësues për shkak të gatishmërisë së tyre për të përdorur dhunën. Duke folur për “BBC Radio 4”, Mattheu Horne, zëvendësdrejtori i përgjithshëm i NCA-së u shpreh: “Edhe pse numeri i shqiptarëve të përfshirë në trafikun e drogës, është relativisht i vogël, ndikimi i këtyre grupeve është mjaft alarmant”.

I pyetur për dhunën e ushtruar nga bandat shqiptare, Horne tha se ajo përdoret shpesh si mjet presioni ndaj rrjeteve të tjera të përfshira. “Ne jemi të shqetësuar se në këtë mes ka edhe njerëz të pafajshëm. “, deklaroi zëvendësdrejtori i përgjithshëm i NCA-së.

"Por mafia shqiptare është një mit”. thotë Jana Arsovska, eksperte jep mësim në Universitetin e Qytetit të Nju Jorkut dhe që ka ndjekur veprimtarinë e kriminelëve shqiptarë për 15 vjet." Pasuritë e pafundme dhe dhuna ekstreme e kriminelëve që vijnë nga Shqipëria dhe Kosova nuk nënkupton se ata i përkasin një organizate të strukturuar me zakone dhe ritualë të ngjashëm me Cosa Nostran në Sicili ose Yakuzan në Japoni. Shohim që shumë organizata punojnë të pavarura nga njëra tjetra”, thekson ajo.
"Ata flasin shqip, por kjo nuk do të thotë se janë të lidhur me njëri tjetrin”, argumenton ekspertja.

Një sërë shkaqesh bënë që krimi i organizuar të hidhte rrënjë të forta në Shqipëri pas rënies së komunizmit. Shpërbërja e shërbimit sekret të kohës së komunizmit la pa punë rreth 10 mijë agjentë. Shembja e skemave piramidale 7 vjet më pas, që prekën mijëra persona të cilët futën aty kursimet e tyre shkaktoi trazira të mëdha që kulmuan me hapjen e depove duke bërë që mbi 550 mijë armë të binin në dorë të popullsisë. Në fund të viteve '90 Shqipëria veriore, ku besnikëria e klaneve ishte gjithmonë e rëndësishme u kthye në një vend të dhunshëm pa ligje dhe të copëtuar nga grindjet vrastare.

Megjithatë, ka pak prova që bandat e formuara në Ballkan të jenë të përhapur në nivel ndërkombëtar duke u kthyer në organizata të strukturuara si "Cosa Nostra" apo "Ndrangheta".

Shumë kriminelë shqiptarë u futën në krime vetëm pasi emigruan në Europë, por ata janë shumë më pak të sofistikuara se mafiozët e vërtetë.

Zonja Arsovska citon si shembull atë që ndodhi në Nju Jork me organizatën kriminale shqiptare "Rudaj". Në vitet '90 ishte kaq e pushtetshme sa disa e quanin "familja e gjashtë kriminale" të qytetit, por tanimë të gjithë anëtarët e saj janë në burg. /The Economist/


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë