Sabina Veizaj- Vendet e vogla mbrohen me fatura të mëdha. Vendet e vogla i duan në kaos që përmes lëmoshave të ndihmave nga projekte, grante, plane marshall tiu mbushin gojën me bukë, ti mpinë mendjen, ti lënë injorantë e të mbushin xhepat e përbashkët të mafies së sektorëve fuqiplotë të ekonomisë dhe vetë ndërkombëtarëve që lëshojnë paratë e vdekjes.
Ky është kuptimi i dramës “Pesë stinët e armikut të popullit” e sjellë të premten në Teatrin Kombëtar Tiranë.
Prishtina e paslufte nën mbrojtjen e Kombeve të Bashkuara duhet rindërtuar.
Konflikti i dramës qëndron mes kompanisë “Liria” që përfaqëson grupimin e njerëzve të mafies së ndërtimit për të vazhduar makutërinë e ndërtimeve pa standarde, pa leje, duke i marrë frymën një qyteti të tërë dhe rrjepur njerëzit me çmimet stratosferike për ndërtime skandaloze, duke mos zbatuar standarde teknike në punë që si pasojë vdesin dhjetëra punëtorë dhe pakicës idealiste që kërkon që qyteti i dashur të rindërtohet me standarde për të bërë krenarë brezat që do të vijnë. Ky grupim përfaqësohet nga Arkitekti, profesionist i shkëlqyer, atdhedashës dhe idealist.
Drama që rrjedh në një mënyrë intense, me një regji moderne ku kuptimi është në sinkron me formën dhe dinamika e lëvizjeve, kënga, kostumet dhe skenografia përplotësojnë të tërën në mënyrë organike që rrjedh natyrshëm deri tek publiku që reagon me duartrokitje, qeshje, fraza, sa herë dhemb.
Drama ngërthen të gjithë treguesit e një shoqërie që ka nevojë emergjente të rilindë, të frymëmarrë, të zhvillohet, por që është e korruptuar deri në palcë.
Drama rrëfen se ryshfeti i paguar në natyrë (përmes seksit) apo me shuma të majme a pasuri të paluajtshme, arrin të joshë njerëzit që në kuptimin filozofik përfaqësojnë masën dhe refuzimi i ryshfetit arrin të vrasë metaforikisht dhe literalisht pakicën ideale, shpresëushqyese dhe me vlera.
Drama “Pesë stinët e armikut të popullit” është ndërtuar mbi lojën e gjashtë personazheve; Arkitekti idealist, Pierre, Administrator i Kombeve të Bashkuara, Margarita – gazetare, pronare e një televizioni privat, vajza e arkitektit – përkthyese e Kombeve të Bashkuara që vuan nga epilepsia, kryesindikalisti – kryetar i sindikatës së punëtorëve të ndërtimtarisë, Meti, pronar i kompanisë ndërtimore “Liria”.
Meti, pronari i “Liria” kërkon të ndërtojë në lagjen “Kodra e Diellit” pallatë shumëkatëshe, rrokaqiej , kurse arkitekti ka ndërtuar planin urbanistik të vendit në atë mënyrë që në këtë hapësirë të ketë sa më shumë gjelbërim.
“ARKITEKTI: Natyrisht, nuk janë vepër e një njeriu, por e një grupi njerëzish, janë vepër e mafisë së ndërtimit.
MARGARITA: Dhe jo vetëm ndërtimtarët, por edhe këta të Kombeve të Bashkuara! Mjaft më me burokratë të huaj që vijnë e na qeverisin, thua se ne s’ditkemi të qeverisim vehten.
KRYESINDIKALISTI: 10 mijë punëtorë do të dalin në rrugtë, madje 20 mijë , se ata do të marrin edhe familjet e tyre. Do të marshojmë, përgjatë sheshit Nëna Tereza dhe do të ndalemi përballë zyrës së Pierre, po të jetë nevoja do të ngrejmë tendat e do të flemë aty.
ARKITEKTI: Ja pra, ky është shpirti që i duhet këtij qyteti. Le ta kuptojnë të gjithë, që nuk mund ta mposhtin këtë qytet. Në djall me politikat neoliberale të UN-it, që lejojnë shkatërrimin, në emër të zhvillimit, në emër të progresit, në emër të demokracisë, në emër të tregut liberal, në emër të paqes në rajon e këtyre brockullave të kota… E ndërkohë, vendorët profesionistë; gazetarët, ingjinierët e zotë, intelektualët, jan hedhur si minj nëpër biruca, nëpër poste pa rëndësi, pa mundësi vendimarrje…
MARGARITA: Në djall me qytete të ‘diellit’, që na e nxënë diellin. Në djall me beton, në djallë me dhi nëpër banesa, me gropa që të hapen para syve…
METI: Kam kërkesë prej punëtorëve të mi. Pak a shumë, e-maili shkruante kështu:
- Jam kundër tri shujtave që na i jep pronari.
- Jam kundër rrogës së 13-të se jam i bindur që ajo e korrupton lidhjen profesionale që punëtori ka me kompaninë ku punon;
- Të më zvoglohet paga mujore;
- Të na rritet orari i punës, nga 12 në 14 orë në ditë;
- Nuk kemi nevojë për sigurim shëndetësor. Sigurimi shëndetësor për punëtorin është koncpet fyes, sepse ai u rri mirë vetëm parazitëve të papunë, jo neve që punojmë dhe që jemi aktiv. “
Kjo situatë përmbyset krejt deri në fund të dramës, ku Meti arrin ti korruptojë të gjithë dhe ti ketë me vete duke realizuar planin mafioz të rindërtimit të Prishtinës sipas standarteve të zhvatjes, përveç arkitektit i cili këmbënguljen për dashurinë ndaj qytetit e paguan me jetën një natë të ftohtë të stinës së dimrit.
Dramaturgu kosovar tronditi rëndë mbrëmë publikun e Tiranës, në një prej sallave të Teatrit Kombëtar, i cili prej gati dy vjetësh nuk funksionon më zyrtarisht, por tashmë është marrë nën mbrojtjen e “Aleanca për mbrojtjen e teatrit”.
“Ishte si një profeci”- Jeton Neziraj përpara shfaqjes
Nëse në këto 30 vite post-komunizëm dhe këto 13 ditë post-tërmet ku ende shumë syresh janë ende nën panik, nuk u tronditën mjaftueshëm për të reflektuar makutërinë e ndërtimeve vdekjeprurëse (etj), Jeton Neziraj i hyri shqiptarëve në stomak me të vërtetën e ngjashme të Prishtinës së tij.
Publiku si kurrë ndonjëherë ishte interaktiv me aktorët, edhe pse shfaqja nuk e parashikonte një gjë të tillë.
Shqiptarët në sallë veshën të vërtetën për gati dy orë, pak nga pak, sarkazmin, ironinë, dhimbjen e ftohtë dhe ulëritëse të akumuluar për dekada.
2 orë sa një jetë grusht fytyrës.
Në përfundim të shfaqjes teksa Jetoni në lozhat e katit të dytë me fytyrë nga skena duke u marrë me prozhektorin e ndriçimit iu avit ballkonit, publiku u kthye 180 gradë dhe duartrokiti enkas për të.
Jetoni fitoi çmimin e publikut, e disa njerëzve të shtypur, e një shoqërie të frustruar që ka frikë të reflektojë dhe reagon çastesh, e pafuqishme përballë një të keqe të rëndë e të gjatë sa një jetë.
Dilema e fundit me të cilën përmbyllet drama, është ajo e vajzës së arkitektit të vrarë: “Ta lë vendin apo jo?”
“PIERRE: Si po mendon?
VAJZA: Nëse largohem, atëherë e di që do të jetë përgjithmonë, e unë, më duket nuk jam gati të largohem përgjithmonë.
PIERRE: Tani, pas krejt kësaj që ndodhi, akoma dëshiron të qëndrosh?
VAJZA: Po. Se tani, ka kuptim të qëndruarit këtu.
PIERRE: Çfarë kuptimi paska, të qëndrosh në një vend që ta ka vrarë babanë?
VAJZA: Kështu e pyesja edhe unë babanë, gjatë të 90-vea: ‘çfarë kuptimi ka të rrimë’ i thoja, ‘në një vend që vret’?
PIERRE: Ç’ka përgjigjej?
VAJZA: Se kur të rritem do ta kuptoj.
PIERRE: Dhe, tani e paske kuptuar?
VAJZA: Jo, nuk e kam kuptuar, por nëse largohem, nuk do ta kuptoj kurrë. Nëse rri, ndoshta kam gjasa.
/Vajza e gris biletën e aeroplanit. /
PIERRE: Po bënë gabim!
VAJZA: Paj, s’është për t’u habitur, ne vendorët bëjmë gabime, nuk jemi të përsosur sikur ju.
PIERRE: Nuk e kuptoj përse jeni të mllefosur me ne! Ne ju çliruam dhe ju ndihmuam ta fitonit lirinë – e nuk e kishim obligim, apo jo? Kur erdhëm në vendin tuaj, ju na pritët me lule, na falenderuat, por pastaj, shpejtë harruat, iu kthyet zanati të vjetër të urrejtjes, të mllefit, për gjëra koti, gjëra që s’u përkasin. Çfarë lidhje ka që ne vozisnim xhipa të bardhë e të shtrenjtë? A mos i kemi blerë me paratë e juaja? Iritoheni përse ne ndërkombëtarët kemi rroga të majme – ç’ka ju hyn në punë kjo? Nuk po i marrim nga ju ato para, por nga vendet tona të cilat kontribuojnë shuma të mëdha për misione paqëruejtëse, si ky në vendin tuaj.
VAJZA: Po, dhe pjesë e misionit paqëruejtës është edhe të merrni me vehte nga një vajzë të re – të studiojë me bursë në vendin tuaj! Dhe e cila, vitin e parë, do ta mësonte gjuhën, do të jetonte në banesën tuaj, do të adaptohej me kulturën tuaj, ushqimin tuaj e, hera herës, edhe me seksin tuaj…”
Ka ndodhi që ngjajnë në kohën, vendin dhe nga njerëz të duhur…
Më herët Neziraj do të sqaronte në një deklaratë përpara shfaqjes ndrsyhimin e qëndrimit të tij në lidhje me prishjen ose jo të Teatrit Kombëtar.
"Akti i prezantimit Akti i prezntimit të kësaj shfaqjeje këtu është qëndrim dhe shpjegon qëndrimin tim dhe jo vetëm timin, se është qëndrim i shumicës në këtë ekip prej 15 artistëve. Vendimin për të luajtur këtu, nuk e kam marrë kokë në vehte, por mbas konsultash me ekipin. Po, kemi pasë dilema, disa ndoshta akoma i kanë. Por me rëndësi është që ne jemi këtu dhe sonte do të luajmë në këtë teatër “- do të shprehej dramaturgu me influencë në Kosovë, por i njohur edhe në skenat teatrore europiane e botërore.
Kushtet në këtë teatër, do të argumentonte ai përpara shfaqjes, kanë qenë të tmerrshme, ato kushte kanë qenë të tmerrshme përgjatë këtyre gati 30 viteve dhe përpara se të fajësojmë këtë ndërtesë në të cilën ka qenë e është, ndoshta duhej fajësuar ata që nuk kanë bërë asgjë për ta rregulluar atë. Dhe unë mendoj që këtu është hileja, do të sqaronte ai, të cilën plot artistë nuk e kanë kuptuar e ndoshta akoma nuk e kuptojnë. “A mund t’u besojmë atyre që premtojnë parajsën teatrore, ndërkohë që në realitet kanë krijuar një ferr teatror? Dhe duhet të jemi të sinqertë; këtë ferr nuk e ka krijuar vetëm kjo qeveri tani, por edhe opozita dje kur ishte në qeveri dhe kam frikë, do ta vazhdojë edhe qeveria nesër, cilado që të jetë ajo"- do të thoshte Neziraj.
Prej herëve të rralla, do tu shpjegonte ai “Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit”, kur artistëve u ka interesuar qëndrimi im dhe ndryshimi i qëndrimit tim në lidhje me teatrin, por asnjëherë nuk i është bërë vonë kujt kur kemi ardhur dhe nuk jemi lejuar të luajmë në skenën e teatrit ngjitur dhe ku jemi fyer e jemi kërcënuar. Dhe kështu ka ndodhë e po ndodh2ë me shumë artistë të tjerë në një formë apo në një formë tjetër.
“Unë them se kisha dashur që kjo rezistencë këtu, të jetë si një fillim i një beteje më të gjatë për ta çliruar teatrin shqiptar nga kthetrat e degradimit dhe si një betejë që përpos kauzës për objektin, lufton edhe për një kauzë tjetër po aq sublime, në mos edhe më sublime, kauza për dinjitetin e teatrit në këtë vend, dinjitet që është rrëmbyer nga të gjithë nga pak, duke përfshirë edhe nga vetë artistët, por sidomos nga politika dhe politikanët- pa përjashtim, nga të majtët dhe të djathtët"- Jeton Neziraj.
Ai mendon që shembja më e madhe në këtë vend ka ndodhur dhe ajo është më e tmerrshme se akti fizik i shembjes në tentativë që po i bëhet këtij teatri.
“Unë them se kisha dashur që kjo rezistencë këtu, të jetë si një fillim i një beteje më të gjatë për ta çliruar teatrin shqiptar nga kthetrat e degradimit dhe si një betejë që përpos kauzës për objektin, lufton edhe për një kauzë tjetër po aq sublime, në mos edhe më sublime, kauza për dinjitetin e teatrit në këtë vend, dinjitet që është rrëmbyer nga të gjithë nga pak, duke përfshirë edhe nga vetë artistët, por sidomos nga politika dhe politikanët- pa përjashtim, nga të majtët dhe të djathtët"- do të përfundonte dramaturgu kosovar.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.