Lajme

Madagaskari, ‘hirushja’ afrikane që i befasoi të gjithë

Është mbyllur faza e grupeve të Kupës së Afrikës. Egjipti, Kameruni, Senegali, Gana, Nigeria dhe Bregu i Fildishtë, si favorite kaluan pa asnjë problem në fazën me eliminim direkt, si kryesuese grupi, por edhe nga vendi i dytë. Surprizat kanë qenë të mëdha në të gjithë grupet, por ajo që i ka tërhequr më shumë vëmendjen ka qenë performanca e kombëtares së Madagaskarit.

Kombëtarja ishullore është për herë të parë në këtë kompeticion në “kontinentin e zi”. Vlera e kësaj skuadre nuk i kalon 14 milionë eurot, që është më e vogla ndër ekipet që kanë kaluar në këtë fazë të Kupës së Afrikës. Lojtari më i shtrenjtë i Madagaskarit është mbrojtësi Marco Ilaimaharitra, i cili sipas transfermarket vlen 3 milionë euro. Por jo vetëm kaq, lojtari kryesor i këtij ekipi është kapiteni Ima Andriatsima, që vlerën e ka jo më shumë se 100 mijë euro. Kjo është vlerë qesharake, nëse do e krahasojmë me vlerën e liderëve të Egjipit, Kamerunit, Senegalit, Ganës, Nigerisë, ekipe të cilët e kalojnë vlerën e 100 milionë eurove dhe me lojtarë që aktivizohen në klubet më të mëdha europiane.

Modestisht me një trajner jo profesionist, si Nicolas Dupuis që përveç trajningut te kombëtares, ai bën edhe një punë tjetër, ky ekip deri më tani e ka shkruar historinë edhe pse oreksi tashmë është rritur për akoma më tej. "Unë duhet të falënderoj lojtarët që më kanë bërë krenarë. Kanë bërë krenarë të gjithë njerëzit në Madagaskar," - tha Dupuis pas kualifikimit historik përmes fitores me Nigerinë, një nga ekipet më të forta të kompeticionit. "Është një arritje vërtetë e madhe për ne. Nigeria është ende një favorit i fortë për turneun.”

Por jo vetëm kaq, pasi ekipi i Madagaskarit në fillim u përfshi nga një skandal korrupsioni, ku presidenti i Federatës së Futbollit u fut në burg. Ai po e ndjek këtë performancë të ekipit të tij nga qelia në pritje për të marrë gjykimin nëse do të lirohet nga akuzat për korrupsion. Mes shumë problemesh financiare dhe një serie vështirësish organizative, Madagaskari tregoi edhe një herë tjetër se futbolli është sporti i grupit dhe sakrificës dhe jo i luksit e parave.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë