Politike

Lulzim Basha ‘fitoi’ vulën, por solli përçarjen e dytë. PD drejt ndarjes përfundimtare

Partia Demokratike pësoi të martën në mbrëmje përçarjen e dytë brenda saj, me protagonist jo Sali Berishën, por Lulzim Bashën. Ky i fundit nuk ishte në mbledhjen e kryesisë (si ish-kryetar i partisë), kur anëtarët e ndarë më dysh u konfrontuan me njëri-tjetrin se si PD-ja duhej çuar përpara

Thelbi i debatit ishte riorganizimi për të cilën ishin dakord të gjithë, por ajo që i ndau mes njëri-tjetrit ishte forma.

Ata që mbështesin tezën e Bashës në kryesi janë në një mendje me Kolegjin e Kryetarëve se puna duhet të vijojë me degët aktuale, të zgjidhet kryetari i partisë në fund të korrikut dhe në shtator të mbahet kuvendi i jashtëzakonshëm.

Pjesa tjetër që u mbështet nga deputetë të drejtuar nga Gazment Bardhi (njëherazi edhe Sekretar i Përgjithshëm) kërkuan fillimisht riorganizim kapilar nga baza me ngritjen e grupeve të punës, mundësinë e hapjes së negociatave me palën tjetër në PD dhe vetëm në një kohë të dytë (të pacaktuar) të zgjidhej kryetari i partisë.

Lulzim Basha nuk e ka deklaruar se do të garojë, por takimet me të rinjtë dhe mesazhet që ai përcjell janë të qarta.

Basha synon që juridikisht të kthehet në drejtimin e PD-së, në atë forcë politike nga e cila nuk u kuptua asnjëherë nëse kishte ikur, duke përdorur makinacione dorëheqjesh e delegimi kompetencash, për t’u rikthyer aty ku e kishte lënë partinë, me një përçarje akoma më të madhe.

Basha e ka thënë qartë se nuk synon bashkim me palën e Berishës. Të njëjtën gjë përforcoi edhe kolegji i kryetarëve duke u distancuar krejtësisht nga e ngjashmja e duke kërkuar që PD-ja të vijojë punën me ato organe që ka.

Por me çfarë kosto? Lulzim Basha humbi të martën në maratonën 10 orëshë njerëz që i kishin qëndruar besnik, por që nuk ishin dakord që ai të kthehej në krye të PD, të paktën në këtë fazë të procesit.

Ai humbi besimin e Gazment Bardhin, Jorida Tabakut, Bledion Nallbatit, Lefter Gështenjës, Dashnor Sulës, Dhurata Çupit dhe Saimir Korreshit, deputet që e kishin mbështetur edhe në ditët më të zeza kundër Sali Berishës.

Ajo për të cilën kryesia përcolli hidhur vendimin e saj nuk ishte përmbajtja por mënyra se si.

17 anëtarë të kryesisë që votuan pro zgjedhjes së kryetarit të ri të partisë është veprim krejtësisht normal në të drejtën e tyre dhe aspak për tu habitur.

Ajo që rendoi situatën ishte qasja ndaj pjesës tjetër, që nuk ishte dakord.

Mbështetës të Bashës, që përdorën dhunë verbale, por edhe etiketime aspak etike si ‘palaço’ nga  vetë anëtarë të kryesisë kundrejt palës që nuk ishte dakord, vuri në dyshim gjithë betejën e deritashme të ngritur ndaj pjesës tjetër në parti.

PD-ja zyrtare u bë po aq pis sa ajo që ishte dikur bashkë me Sali Berishën. Sepse aty nuk ka ndryshuar asgjë. Qasja dhe fryma mbetet po e njëjtë, pavarësisht debateve të tejzgjatura dhe përplasjes së mendimeve që rrallë kanë ndodhur në kete parti    

Kryesia e PD-së zyrtare mbylli njëherë e mirë edhe kapitullin me pjesën tjetër të drejtuar nga Sali Berisha, çdo përpjekje për të bërë katarsis në bazë si dhe certifikoi status-quonë aktuale të partisë me të njëjtat probleme dhe sjellje politike me një çmim jo të vogël.

PD ‘fitoi’ kryetarin, por kryetari humbi njerëzit.

Ata që u larguan nga kryesia e PD-së ishin 7 deputetë me mbështetje në bazë, pesë të tjerë u lëkundën, dy prej tyre dhanë dorëheqjen nga kryesia.

Dha dorëheqjen edhe Jorida Tabaku si nënkryetare e partisë e cila, në orën 03.00 të mëngjesit, nuk mori përgjigjen e pyetjes drejtuar po nga ajo: “A duhet një parti për kryetarin apo kryetar për partinë? /N.P


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë