Analize

S’ka datë për negociatat, vetëm deklaratë. Gjermania: Vendimi në shtator ose tetor

Ministrat e jashtëm të vendeve anëtare të Bashkimit Europian janë duke mbajtur një takim prapa dyerve të mbyllura në Luksemburg, ku pritet të vendoset fati i Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Sipas “Deuche Welle”, Ministrat e BE-së pritet të nxjerrin vetëm një deklaratë për rëndësinë strategjike të Ballkanit për Europën, por nuk do të japin një datë përfundimtare për çeljen e negociatave me Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut.

Ministri gjerman i shtetit për Europën, Michael Roth bëri thirrje për fillimin e bisedimeve më të dyja vendet, duke deklaruar se Shkupi dhe Tirana i kanë bërë “detyrat e shtëpisë”.

"Para një viti u kemi dhënë detyrat e shtëpisë dy vendeve dhe ata i kanë përmbushur. Veç kësaj Maqedonia e Veriut ka arritur të zgjidhë një konflikt 30 vjeçar me Marrëveshjen e Prespës. Dhe kjo është e pashembullt dhe duhet shpërblyer”, ka deklaruar Roth.

Këmbënguljes së tij iu bashkua edhe ministri austriak për Europën, Alexander Schalenberg i cili tha, se "do të ishte një sinjal shumë i keq, nëse BE-ja do t'u kthente shpinën Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. “Nuk ka rëndësi data e çeljes së negociatave, rëndësi ka që të ndodhë sa më shpejt dhe sot të arrijmë një vendim paraprak”, deklaroi ai. 

Komentet e ministrit austriak i ka mbështetur edhe ministri i Jashtëm i Italisë, Enzo Moavera, i cili tha se gjatë takimit do të merret një vendim paraprak mbi bazën e asaj që është arritur deri tani dhe do të pritet vendimi i Buddestagut pas përfundimit të verës.

Nga ana tjetër, George Ciamba, ministri rumun për Evropën, të cilët janë edhe organizatorë e takimit në Luksemburg sqaroi se deklarata rreth raporteve të progresit do të jetë “e angazhuar, konstruktive dhe do të përmbajë balancën dhe rëndësinë strategjike të Ballkanit Perëndimor për Europën”.

Sipas agjendës zyrtare, ministrat pritet të diskutojnë fillimin e negociatave formale të anëtarësimit me të dy vendet, por atmosfera brenda unionit nuk duket edhe aq pozitive. Gjate bisedimeve ministrat mund të vendosim për hapjen e negociatave për Shkupin në tetor, por jo për Tiranën, shanset e të cilës u “errësuan” edhe më shumë me publikimin e audio-përgjimeve të gazetës gjermane “Bild”.

Diplomatët thonë se Maqedonia ka gjasa që sot marrë një ftesë për anëtarsim, por jo Shqipëria, për shkak të shqetësimeve të vazhdueshme rreth korrupsionit, krimit të organizuar dhe pastrimit të parave.

“Mundësitë për çeljen e negociatave për Maqedoninë e Veriut janë mjaft të larta, por ato të Shqipërisë janë goditur rishtas nga nje vendim i Qeverisë së Holandës e cila ka vlerësuar se çelja e negociatave me Shqipërinë është e parakohshme. Holanda është kontribuesi më i madh për kokë banori në buxhetin e BE-së dhe shihet si përfaqësues i vendeve të vogla ne Bashkimin Europian”, shkruan “DW”.

Deri të hënën, vendet më të mëdha të Bashkimit Europian ishin të vendosura për shtyrjen e këtij vendimit për në vjeshtë, ndërkohë që Qiproja kërcënoi të vërë veton ndaj hyrjes së Tiranës dhe Shkupit, nëse BE-ja nuk merr masa ndaj Turqisë.

Përpara takimit, Komisioneri i Zgjerimit Johannes Hahn i bëri thirrje vendeve skeptike të rishqyrtojnë dhe të japin një datë zyrtare të paktën për Maqedoninë e Veriut. Hahn tha se kredibiliteti i procesit të zgjerimit të BE në Ballkanit ishin në rrezik.

"Mesazhi im për shtetet anëtare skeptike është se procesi i pranimit në BE duhet të bazohet në besueshmërinë dhe besueshmërinë. Nëse një vend partner si Maqedonia e Veriut jep arritje të dukshme, BE- duhet të japë gjithashtu diçka në këmbim. Ne nuk mund të përballojmë rrezikun që procesi i reformave të ngadalësohet ose të ndalet ", tha Hahn.

Ekspertët thonë se në rastin më të mirë, Shqipëria mund të shpresojë inkurajimin e mëtejshëm për reformat dhe shtyrjen e një vendimi konkret për nisjen e bisedimeve deri në vjeshtë.

Nga ana tjetër, hapja e negociatave ditën e sotme duket se do të vinte si “dhuratë ditëlindjeje” për Maqedoninë e Veriut në njëvjetorin e nënshkrimit të marrëveshjes së Prespës me Greqinë, e cila ka bërë që shumë vende anëtare të BE të bëjnë thirrje për anëtarësimin e Shkupit.

Megithatë, qeveria franceze sinjalizoi të hënën se tani për tani nuk e ka ndërmend që të ndërrojë qëndrimin kundër hapjes së bisedimeve të anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut apo Shqipërinë. Një zëdhënës i ministrisë së jashtme u ka thënë gazetarëve në Paris, se Franca aktualisht është duke e analizuar raportin e 29 majit të Komisionit Europian dhe se rekomandimet për të dyja shtetet do të bëhen publike në të ardhmen.

Johannes Hahn

KE i ka propozuar qeverive të BE-së që të hapin bisedimet sa më parë të jetë e mundur, por sinjalet nga Brukselit tregojnë se qeveritë e bllokut europian nuk pritet të marrin ndonjë vendim përfundimtar, por ta shtyjnë atë edhe për katër muaj të tjerë të paktën.

Zëdhënësi francez ka sqaruar më pas qëndrimet e vjetra Emmanuel Macron, i cili është kundër vazhdimit të procesit të zgjerimit të BE-së pa pasur reforma brenda vet bllokut europian.

“Ashtu siç ka theksuar disa herë presidenti francez, procesi i zgjerimit duhet që të ketë së pari parasysh përparësinë që Bashkimi Europian të jetë reformuar. Tani për tani zgjerimi i BE-së nuk duhet që të ketë kalendar” tha ai. “ Ne duhet që të jemi të kujdesshëm që vendet kandidate të respektojnë krejtësisht kriteret e përcaktuara nga Këshilli i BE-së. Procesusi i zgjerimit është i bazuar në kriteret e kërkuara dhe meritat e secilit nga kandidatët, pa kalendar të përcaktuar përpara”, theskoi zëdhënësi.

"Është e sigurtë se nuk do të ketë ndonjë vendim domethënës në Këshillin e Ministrave”, tha Simonida Kacarska, eksperte nga Instituti i Politikës Europiane."Skenari më i mirë do të ishte që Këshilli Europian t’i jepte dritën jeshile Komisionit për të filluar punën në një kuadër negociatash, por për momentin nuk mund të them me siguri nëse ky opsion është në tryezë", shtoi Kacarska.

Shancet e Shqipërisë janë zvogëluar edhe më shumë pasi Maqedonia e Veriut ka insistuar për shkëputjen e procesit të anëtarësimit, duke deklaruar se Tirana dhe Shkupi duhet të vlerësohen secila për arritjet e tyre. Kjo ishte kërkesa e presidentit të Maqedonisë së Veriut Stevo Pendarovski gjatë fundjavës.

Duke iu përgjigjur pretendimeve të Pendarovskit, kryeministri Edi Rama tha se kjo do të ishte e padrejtë. Ai tha se shqiptarët duhet të shpërblehen, duke vënë në dukje gjithashtu se shqiptarët e Maqedonisë, të cilët përbëjnë rreth një të katërtën e popullsisë në vendin fqinj, kanë kontribuar shumë në demokratizimin e Shkupit.

Edi Rama dhe Federica Mogherini

Përpara se të niste takimi i ministrave të Jashtëm të vendeve të BE-së në Luksemburg, shefja e politikës së jashtme, Federica Mogherini, ritheksoi edhe njëherë nevojën e hapjes së negociatave për Shqiperinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Kryediplomatja europiane kërkoi që vendet anëtare të marrin një vendim pozitiv për të dyja shtetet dhe rikujtoi sesi plot një vit më parë u nënshkrua Marrëveshja e Prespës.
“Mendoj se duhet ta kujtojmë fuqinë e lidershipit dhe guximit dhe hapat e rëndësishëm që janë ndërmarrë në Ballkanin Perëndimor. Vendet anëtare duhet ta kujtojnë këtë dhe të vlerësojnë hapat e bëra përpara, sidomos kur në ditët në vazhdim do të merret një vendim i rëndësishëm për çeljen e negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, gjë që mendoj se duhet të bëhet sa më shpejt” tha Mogherini.

Ndërkohë, sipas gazetës së njohur gjermane, “Neue Zürcher Zeitung”, kryesia e BE-së po përpiqet të gjejë një konsensus për vazhdimin e procesit të zgjerimit në Ballkanin Perëndimor.

“Modeli i shkëmbimit “reforma kundrejt integrimit” është bllokuar", shkruan gazeta. "Që në shumë vende anëtare ka rënë fryma për zgjerimin, këtë e tregoi edhe fakti, se Komisioni raportin vjetor e publikoi pas zgjedhjeve për Parlamentin e BE-së, për të mos u dhënë me rekomandimin e vet për hapjen e negociatave argumente partive populiste të djathta në Europën Perëndimore. Ndërkohë që disa vende në Europën Lindore e mbështesin anëtarësimin e vendeve të Ballkanit. Ndër to edhe Polonia nga ndërmarrë një nismë në favor të integrimit të këtyre dy vendeve”, thuhet në artikull.

Sipas gazetës, se sa delikat është procesi i anëtarësimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut e tregoi qeveria holandeze, e cila ka kërkuar pas 10 vjetësh rikthimin e regjimit të vizave me Shqipërinë.

”Deri tani po avancojnë në mënyrë të çalë negociatat me Serbinë dhe Malin e Zi. Se sa delikat është procesi këtë e tregon edhe nisma holandeze, që i kërkon Brukselit të rishikojë pas 10 vjetësh liberalizimin e vizave me Shqipërinë. Haga ankohet për rrjetet kriminale dhe imigracionin ilegal nga Shqipëria”, përfundon gazeta.

Shkupi kërkon hapjen e negociatave përpara vjeshtës

Angela Merkel dhe Zoran Zaev

Në përvjetorin e parë të marrëveshjes së Prespës, Shkupi duket se pret më entuziast se kurrë një sinjal pozitiv nga BE-ja, duke i garantuar qeverisë së vendit fqinj hapjen e negociatave në muajt në vijim.

Vetë kryeministri Zoran Zaev është shprehur se tanimë është pothuasje e sigurt se vendimi për të hapur bisedimet e anëtarësimit me Shkupin dhe Tiranën mund të shtyhet deri në shtator, pasi Bundestagu Gjerman do të debatojë mbi zgjerimin e unionit vetëm pas pushimeve të verës. Por Shkupi zyrtar ngreh shqetësim se deri atëherë mund të jetë tepër vonë, pasi konteksti politik në Ballkan mund të ndryshojë në muajt e ardhshëm dhe të krijohen probleme të reja.

Në një intervistë, presidenti Pendarovski tha se shtatori ishte larg dhe se Shkupi do të preferonte shumë qershorin, korrikun, apo edhe gushtin.

“Pse them tani dhe jo më vonë? Sepse asnjë politikan në Europë nuk ka asnjë kundërshtim ndaj dosjes sonë. Askush nuk është duke thënë se “Maqedonia e Veriut nuk e meriton”. Asnjë. Duke qenë kështu, dhe duke pasur shkëputjen nga Shqipëria, na jepni datën, ju lutem “, tha ai.
“Greqia po mban zgjedhjet parlamentare më 7 korrik dhe partia opozitare Demokracia e Re e cila mund të vijë në pushtet, ka një pozitë shumë më skeptike ndaj marrëveshjes së emrit dhe nëse i shtyjmë negociatat për në vjeshtë, Athina mund të kenë një pozicion shumë më të ngurtë për hapjen e bisedimeve”, tha presidenti maqedonas.

Së dyti, ai paralajmëroi për rritjen e tensionet me një tjetër fqinj të BE-së Bullgarinë, me të cilin Shkupi nënshkroi një marrëveshje mbi marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe ra dakord të ngrinin një komision të përbashkët për të punuar në çështje të diskutueshme si historia, gjuha ose përkatësia etnike.

Por komisioni ka bërë pak përparim, i cili po kritikohet publikisht në Sofje, për shkak të pretendimeve gjithnjë e më nacionaliste nga Bullgaria. “Ka forca atje që thonë se bullgarët dhe maqedonasit janë një dhe se jemi një komb që jeton në dy vende dhe kjo është e patolerueshme për t’u pranuar”, tha ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë