Politike

Luigi Soreca: Duhet të shpejtoni për negociatat

Luigi Soreca, ambasadori i BE-së në Shqipëri, ka folur për “Deutsche Welle” në lidhje me hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

“Si për Shqipërinë, ashtu edhe për Maqedoninë e Veriut, shtetet anëtare janë të gatshme të miratojnë atë që ne e quajmë kornizën e negociatave. Një prej tyre e ka bllokuar këtë miratim për Maqedoninë e Veriut, ndërsa teksti i kornizës negociuese për Shqipërinë është pranuar nga të gjithë.

Nëse do ketë ndonjë zgjidhje të mosmarrëveshjes dypalëshe në lidhje me Maqedoninë e Veriut, të dyja kornizat negociuese mund të miratohen para fundit të vitit. Thirrja e Konferencës Ndërqeveritare është tjetër gjë. Miratimi i kornizës negociuese është kushti për të thirrur Konferencën Ndërqeveritare”, – ka shpjeguar Soreca.

“Me sa kam kuptuar, ditët në vijim do ketë takime të Këshillit – KED – dhe është e rëndësishme që KED të dalë me një listë që do t’u dërgohet dy autoriteteve emëruese, Presidentit të Republikës dhe Parlamentit për emërime”, – ka theksuar më tej Soreca.

Ai pohoi se kjo është e mundur para fundit të vitit, nëse puna përshpejtohet. “Këto gjëra duhet të zhvillohen, duhet të përshpejtohen. Le të shohim se ku jemi deri në fund të vitit, para se të mbarojë Presidenca Gjermane”, – u shpreh ambasadori i BE-së, Soreca.


Copyright © Gazeta “Si”



Më Shumë