Lajme

Lufta për zgjedhjet, përplasje në Tropojë, Shkodër, Selenicë, Lezhë

Mes qeverisë dhe presidentit vijon lufta për dekretin e anulimit të zgjedhjeve të 30 qershorit dhe përgatitjes së zgjedhjeve. Bashkitë e djathta kanë vijuar që të kërkojnë largimin e KZAZ-ve nga ambientet shtetërore dhe madje kjo është shoqëruar me tensione mes mbështetësve të opozitës dhe policisë.
Në Bashkinë e Tropojës persona të paidentifikuar kanë hyrë sot në mëngjes në ambientet e KZAZ nr. 9 në Pallatin e Kulturës në Bajram Curri të Tropojës, duke hequr që aty materialet zgjedhore. Personat në fjalë mësohet të jenë përplasur edhe me policinë.

Ky veprim i tyre ka ardhur, pasi Bashkia e Bajram Currit u ka kërkuar drejtuesve të KZAZ nr. 9 të dorëzonin deri sot në orën 10:00 të gjitha materialet zgjedhore në Bashki, duke vënë në zbatim dekretin e presidentit Meta për mosmbajtjen e zgjedhjeve më 30 qershor.

https://www.youtube.com/watch?v=E3fcY2UUld8

Ndërsa në Shkodër, sot në mëngjes, persona të paidentifikuar të mbështetur edhe nga Policia e Shtetit kanë tentuar të shpërthejnë derën e Pallatit të Sportit në Shkodër, por nuk ia kanë dalë, pas ndërhyrjes së policisë bashkiake.
Përplasja nisi që dje pas kërkesës që Bashkia Shkodër i bëri policisë për ta mbështetur në zbatimin e dekretit të presidentit Meta për anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit.
“Nuk preket punonjësi i Policisë Bashkiake. Fakti që Policia e Shtetit është e armatosur është e turpshme”, shprehen përfaqësues të Bashkisë Shkodër.
Po ashtu, të mbështetur nga Policia e Shtetit, sot në mëngjes, persona të paidentifikuar kanë tentuar të shpërthejnë derën e Pallatit të Sportit në Shkodër, por nuk ia kanë dalë, pas ndërhyrjes së Policisë Bashkiake.

Lidhur me këtë, kryetarja e Bashkisë së Shkodrës në një deklaratë për mediat është shprehur se policia është në shërbim të shtetit kriminal të Ramës.
“Policia e Shtetit është prej shumë kohësh jashtë shinave të ligjit, duke i shërbyer qëllimit krininal të Edi Ramës për të uzurpuar me forcë atë që nuk fiton dot me votë. Bashkia e Shkodrës bën pjesë në këtë plan gjakftohtë kriminal të Edi Ramës, por që ka për t’i dështuar”, shprehet Ademi.
Ajo thotë se Bashkia e Shkodrës në zbatim të dekretit të presidentit ka kërkuar nga KQZ lirimin e mjediseve.
“Në përputhje të plotë me ligjin, në zbatim të dekretit në fuqi të Presidentit të Republikës, i botuar edhe në Fletoren Zyrtare, i detyrueshëm për zbatim nga çdo institucion shtetëror dhe i zgjedhur, Bashkia e Shkodrës ka kërkuar nga KQZ lirimin e mjediseve, që janë pronë e saj.
Bashkia e Shkodrës ka kërkuar zyrtarisht bashkëpunimin e Policisë së Shkodrës për të zbatuar dekretin e Presidentit, i cili ka shfuqizuar 30 qershorin si datën e zgjedhjeve vendore. Deri tani që flasim, nuk ka asnjë përgjigje zyrtare, asgjë me shkrim, siç normalisht duhet të funksionojë komunikimi në mes institucioneve të shtetit. Përgjigjja e vetme e policisë, siç po e shohin përditë shkodranët, e kudo, nuk është ajo e një institucioni në shërbim të interesit publik, por e një bande, që synon nxitjen e konfliktit dhe përdorimin e dhunës”, shprehet kryetarja e Bashkisë së Shkodrës.
Ademi ndër të tjera tha se Edi Rama nuk do t’ia dalë të nënshtrojë Shkodrën dhe të asgjësojë vullnetin e shkodranëve për të votuar si qytetarë europianë në zgjedhje të lira e të ndershme!
“Edi Rama mund t’ia ketë dalë me çfarëdo makinacionesh të asgjesojë dhe të minojë institucionet që kontrollojnë pushtetin e tij, Gjykatën Kushtetuese, Gjykatën e Lartë, Kontrollin e Lartë të Shtetit, por nuk do t’ia dalë të nënshtrojë Shkodrën dhe të asgjesojë vullnetin e shkodranëve për të votuar si qytetarë europianë në zgjedhje të lira e të ndershme!”, tha ndër të tjera ajo.
Po ashtu Bashkia e Selenicës ka kërkuar lirimin e ambienteve në pronësi të bashkisë që janë të zëna me materialet e procesit zgjedhor.
Kryetari Përparim Shametaj u shpreh se do vërë në zbatim dekretin e presidentit Ilir Meta dhe theksoi se nëse Komisionet Zonale të Administrimit Zgjedhor në Selenicë nuk lirojnë ambientet do ndërhyjë bashkia.

“Unë nuk kam kërkuar KZAZ dhe institucioneve të tjera lirimin e ambienteve por kam dërguar një shkresë në zbatim të dekretit të presidentit dhe unë besoj se Presidenti ka ligjshmërinë për të lëshuar urdhra të tillë dhe në zbatim të dekretit kam bërë shkresën”, është shprehur Shametaj.
Edhe Bashkia Lezhë përmes një letre drejtuar KZAZ-ve 12 dhe 13 u ka vendosur ultimatum duke u kërkuar lirimin vullnetarisht të ambienteve të shkollës “Besëlidhja”.

KQZ thirrje bashkive të djathta
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pavarësisht dekretit të presidentit i bëri thirrje bashkive që po bllokojnë procesin zgjedhor se do të dënohen sipas Kodit Penal, duke i kujtuar se rezoluta e Kuvendit i detyron të zbatojë dhe të mos i bllokojnë zgjedhjet e 30 qershorit. Zëdhënësja e KQZ-së, Drilona Hoxhaj në konferencën për shtyp u shpreh se disa kryetarë bashkie me shkresa drejtuar KZAZ-ve kanë kërkuar, lirimin e menjëhershëm të ambienteve ku janë vendosur Vendet e Numërimit të Votave të Zonave të administrimit Zgjedhor, të caktuara me vendime nga KQZ, si edhe ndërprerjen e veprimeve për afishimin e listave të zgjedhësve në institucionet arsimore parashkollore dhe parauniversitare (çerdhe, kopshte, shkolla), në administrim dhe pronësi nga këto bashki.
KQZ vlerëson se këto kërkesa janë në tejkalim të kompetencave, të drejtave dhe detyrave të njohura nga Ligji 139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore”.
“Në vijim të deklaratës së datës 14.06.2019, KQZ ripërsërit kërkesën për të reflektuar dhe shmangur veprime që pengojnë administrimin e procesit zgjedhor të datës 30 qershor 2019, veprime të cilat cenojnë kompetencat dhe të drejtën e KQZ-së dhe KZAZ-ve,pjesë e administratës së saj, në ushtrimin e funksioneve administrative publike të parashikuar nga Kodi Zgjedhor dhe legjislacioni në fuqi në Republikën e Shqipërisë”, theksoi Hoxhaj. Sipas saj, veprime të tilla përbëjnë vepër penale sipas nenit 248 “Shpërdorim i detyrës”, nenit 325 “Pengimi i subjekteve zgjedhore” dhe nenit 326/a “Dëmtimi me dashje i materialit zgjedhor”, të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë. Penalizimi për këto vepra, është edhe shkak për moszgjedhje/mosemërim në funksionet publike, sipas ligjit nr.138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike” (dekriminalizimi). Kryetari i KQZ, Klement Zguri doli sërish kundër deklaratës së zëdhënëses së KQZ. Ai tha se deklarata nuk është Qëndrim i kryetarit të institucionit, por i katër anëtarëve të mazhorancës. Ai shton se të vetmin qëndrim që ka e ka dhënë në mbledhjen e fundit, duke bërë të qartë se kërkon që të zbatohet dekreti i presidentit që anulon datën 30 qershor.
Sakaq ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj ka nisur një tur takimesh në rrethe me drejtuesit e policisë, si dhe drejtuesit e pushtetit vendor me qëllimin përgatitjen në Vlorë. “Referuar situatës në Selenicë mbi vendimin për largimin e materialeve zgjedhore, nëse do të ketë ndërhyrje apo tentativë, dua te them se afati i kryetarëve të bashkisë mbaron tani. Ndaj është absurde të mendojmë se ai lufton me forcë për të zgjatur mandatin e tij. Ndërsa kryetarit të bashkisë Selenicë i them të heq nga fjalori fjalën forcë. U bëj thirrje te kthjellohen, nëse do të bëjnë veprime kundër ligjit do të përballen pikërisht me ligjin”, u shpreh Lleshaj.
Pas deklaratës së KQZ-së, reagoi menjëherë Presidenca, ku nëpërmjet zëdhënësit të saj, Tedi Blushi i kujton dekretin e presidentit Meta për anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit. “Presidenti Meta vlerëson të gjitha institucionet që zbatojnë ligjin dhe i inkurajon që ta bëjnë këtë me përgjegjshmëri maksimale dhe transparencë të plotë. Presidenti mban shënim të gjithë personat që shkelin ligjin dhe provokojnë tensione artificiale, të cilat u shërbejnë vetëm atyre grupimeve të errëta vendase dhe të huaja, që kërkojnë destabilitet në Shqipëri dhe rajon, me qëllim defaktorizimin e Shqipërisë dhe shqiptarëve”, deklaroi zëdhënësi Blushi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë