Politike

“Lufta” e videove brenda PD mbi 8 janarin, Goduzi: Kishte dhunë nga Berisha. Nishani: Si dhunoi Basha demokratët

Qysh prej protestës së 8 janart palët kundërshtare brenda PD vijojnë me “sulme” videosh për të bërë pis njëra tjetrën duke akuzuar respektivisht se është pala tjetër që ka ushtruar dhunë.

Në morinë e deklaratave dhe denoncimeve rutine tashmë, PD-ja nxorri të enjten me video një rrëfim të anëtarit të kryesisë, Gazment Koduzi.

“...Unë i kisha dëgjuar thirrjet për dhunë ndaj demokratëve pas 9 shtatorit nga zoti Berisha dhe pasuesit e tij, por asnjëherë nuk më kishte shkuar në mendje që të fluturonin gurë, tulla dhe varre mbi kokat e demokratëve që ishin këtu brenda. Unë isha në sallën e mbledhjes bashkë me kolegët e mi kur filluan të fluturonin gurët dhe xhamat në kokën tonë. U ngjitëm nëpër shkallë në katin e mësipërm për t’u mbrojtur nga tullat dhe nga xhamat. Përditë po dalin fakte që personat të cilët ushtruan dhunë ndaj selisë së Partisë Demokratike më 8 janar, nuk kanë lidhje me demokratët ashtu si dhe personat të cilët e ideuan dhe e organizuan këtë dhunë janë shkëputur nga Partia Demokratike njëherë e përgjithmonë...”, thotë ai, duke e shoqëruar edhe më nje video pamjesh nga ambientet e selisë.

Të njëjtën gje ka bërë edhe pala tjetër brënda PD-së. Ish-Presidenti i Republikës, aktualisht i përjashtuar nga kryesia e PD-së si anëtar i kësaj partie, Bujar Nishani, ka publikuar një video në Facebook ku tregon se si njerëz të paidentifikuar të Bashës gjuajnë me shkopinj dhe hedhin gaz mbi demokratët.

 “Lulzim Basha në krye të një grupi individësh me rekorde të tmerrshme kriminale dhe Edi Rama në krye të një policie politike, bashkërenduan një dhunë barbare mbi civilë të pambrojtur, veprimtarë politik në territorin e selisë së partisë së tyre.

Asgjesimin e pluralizmit nuk e pranojmë, për asnjë çmim e sakrificë!”, shkruan Nishani, bashkëlidhur edhe një postim video nga ana e tij.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë