Politike

“Lufta e ftohtë” për gjeneralin, kush fitoi Rama apo Meta?

Bledar Hoti- Më 26 tetor kryeministri Edi Rama do të njoftonte nga Twitter pranimin e dorëheqjes së ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, duke bërë të ditur njëkohësisht se do t’i propozonte presidentit Ilir Meta për emëruar në këtë detyrë gjeneral Sandër Lleshi (Lleshaj).
Pikërisht ky propozim i të shtunës së 26 Tetorit që do të shënonte fillimin e përplasjes më të madhe mes Kryeministrit dhe Presidentit.


Të shtunën e 3 Nëntorit, në ditën kur duhet të nxirrte dekretin, Meta do të njoftonte nëpërmjet zëdhënësit të tij, se “Presidenti i Republikës, Ilir Meta nuk ka krijuar bindjen e plotë për t’i dhënë besimin kandidaturës së Sandër Lleshajt si ministër i Brendshëm”.
Kjo do të mjaftonte për të shënuar krisjen e fortë mes mes Ramës dhe Metës, aleatit të dikurshëm gjatë mandatit të parë qeverisës.

Pas këtij vendimi, kryeministri i nisi mesazh deputetëve të partisë së tij që të mos bënin asnjë koment apo të sulmonin Presidentin për mos dekretimin e Lleshajt në këtë detyrë.
“Lutem asnjë lloj komenti askush për vendimin e Presidentit! Ne jemi shumica dhe ne kemi detyrën t’i dalim Zot njerëzve, vendit, Kushtetutës me maturi dhe vendosmëri. Politika është shah, mos e harroni”, ishte mesazhi që u Rama iu shpërndau deputetëve.

Dhe loja e shahut nisi! Rama të dielën shkoi në Presidencë për të lëvizur gurin e radhës, atë të bindjes së ish-aleatit politik për t’u tërhequr dhe dekretuar si ministër të Brendshëm, njeriun më të vyer të kësaj loje shahu, për ta shpëtuar Gjeneral Lleshajn.

Rama duke dalë nga takimi i 4 Nëntorit në Presidencë


“Me kërkesë të tij, Kryeministri u takua me Presidentin e Republikës, për të diskutuar rreth përmbajtjes së letrës së këtij të fundit mbi propozimin për dekretimin e Gjeneral Sandër Lleshit si Ministër i Brendshëm. Bashkëbisedimi ishte i hapur e konstruktiv dhe kryeministri do të vijojë komunikimin me Presidentin e Republikës”, ishte njoftimi i Kryeministrisë për këtë takim që zgjati 90 minuta.


Edhe pse shprehej se komunikimi do të vijonte mes dy krerëve të lartë të shtetit, takimi “kokë me kokë” mes tyre kaloi në një fazë tjetër, atë të luftës së ftohtë të përballjes me anë të deklaratave në distancë dhe më pas me shkëmbime shkresash në rrugë institucionale.
Më 5 nëntor, Rama do të mblidhte grupin parlamentar të PS-së ku do t’i bënte të ditur negociatat me Metën në Presidencë pas refuzimit për të dekretuar Sandër Lleshaj. Ai e akuzoi kreun e shtetit se ka shkelur Kushtetutën dhe se mazhoranca do t’i jepte kohë të reflektonte deri sa ai të bindej për ta firmosur. Njëherësh Rama do të deklaronte se do ta ripropozonte Lleshajn si kandidaturë për ministër të Brendshëm.

“Dakordësi e plotë në Grupin Parlamentar. Kuvendi do të miratojë nesër dekretin e Presidentit për shkarkimin e ish-ministrit të brendshëm. Sandër Lleshi do të marrë drejtimin e MB si zëvendës ministër. Por nuk mbaron me kaq. Për më shumë do t'i drejtohem Kuvendit nesër në 10.00”, do të postonte Rama në llogarinë zyrtare në rrjetet sociale.

Ndërsa lëvizja e radhës do të ishte dërgimi i kryeparlamentarit Gramoz Ruçi në Presidencë për t’u konsultuar me Metën për çështjen Lleshaj. Ndryshe nga takimi i një dite më parë me Ramën, Presidenti do të preferonte ta përcillte vetë Ruçin.

Presidenti Ilir Meta përcjell Gramoz Ruçin pas takimit në Presidencë

Pas këtij takimi erdhi lëvizja e Presidencës, e cila pasi konfirmoi se "ballafaqimi" me Ruçin u bë për çështjen e konsultimeve për datën e zgjedhjeve dhe dekretin për kreun e KLSH-së. Presidenti sulmoi Ramën, duke i kujtuar se ka ikur koha kur vendoste njëshi i partisë.


“Presidenti Meta konfirmon përkushtimin e tij maksimal në respekt të Kushtetutës, për të bashkëpunuar me të gjitha institucionet në vend, në interes të stabilitetit, forcimit të institucioneve dhe rritjes të kulturës së bashkëpunimit ndërinstitucional me transparencë dhe konstruktivitet. Por njëkohësisht, Presidenti i Republikës bën të qartë se nuk do të lejojë asnjë përpjekje sfiduese ndaj autoritetit te institucionit qe përfaqëson si Kryetar i Shtetit, Komandant i Përgjithshëm i Forcave te Armatosura dhe Kryetar i Këshillit të Sigurisë Kombëtare. Presidenti i Republikës ka shprehur gjithmonë gatishmërinë e tij t’i japë shpjegime në mënyrë transparente dhe të përgjegjshme Kuvendit të Republikës së Shqipërisë për të gjitha çështjet që Kuvendi do të shprehë interes. Presidenti Meta ka bindjen e plotë se koha e drejtimit të shtetit shqiptar me Sekretar të Parë ka përfunduar njëherë e përgjithmonë”, deklaroi zëdhënësi i Presidentit më 5 nëntor.

Kjo bëri të qartë konfliktin ndërmjet Ramës dhe Metës. Ndërsa loja e shahut vijoi me lëvizjet të tjera. Presidenti, si për të treguar se nuk është ai shkaktari i këtij konflikti do të dekretonte me 6 nëntor Helidon Bendon si kryetar i SHISH. Ky dekret i nxjerrë një vit pas propozimit të Ramës, dhe pikërisht në ditën kur në Kuvend do të votohej për shkarkimin e Fatmir Xhafajt nga posti i ministrit të Brendshëm.

Kryeministri në fjalimin e tij në Parlament më 6 nëntor e cilësoi si një krisje kushtetuese këtë veprim të Metës. “Ohu sa ka parë dhe ka kaluar Shqipëria, krahasuar me këtë furtunën në gotën e besimit dhe të mosbesimit dhe të një ministri të Brendshëm që si asnjë paraardhës i tij disponon dhe certifikatën më të lartë të sigurisë së NATO-s të quajtur TOP Cosmic, por ne s’kemi qenë asnjëherë si ata që i detyruam të largoheshin nga pushteti para 5 vjetësh dhe as si ata, që na detyruan t’i largojmë nga koalicioni para një viti. Dhe as nuk jemi dot ne ata, që krisjet i kthejmë në thyerje, paçka se kemi dhe ne tonat, nuk diskutohet dhe as që vihet në dyshim se ne nuk jemi pa të sharë. Krisja në këtë rast nuk është personale, as politike. Krisja është kushtetuese dhe ne jemi këtu, mishërimi i vullnetit të popullit sovran mes dy raundeve zgjedhore, do të bëjmë çmos në radhë të parë për ta ngjitur, uroj të gjejmë edhe nga ana e Presidentit të Republikës dëshirën dhe durimin për të mos ta çuar krisjen në thyerje që sigurisht nuk do të jetë fundi i botës, por patjetër është në të mirën e vendit dhe të gjithëve bashkë që ta shmangim. Është e shmangshme…. Kam shumë besim se jo vetëm nuk do të zhgënjejë askënd në punën e tij, por dhe do të japë një shtysë të fortë dhe të domosdoshme përpara, punëve të brendshme. 7 ditët e pamjaftueshme që Presidenti mori për të krijuar bindjen e tij, mua më tepruan për të konsoliduar më tej bindjen time se gjeneral Sandër Lleshaj në krye të punëve të brendshme është njeriu i duhur, që vjen në kohën e duhur dhe gjendet në vendin e duhur, si përfaqësues i shumicës së duhur, sot dhe nesër të Republikës së Shqipërisë”, do të theksonte Rama.


Ndërsa si një prove force e mazhorancës dhe një dërgim mesazhi drejt Presidencës do të ishte mbledhja e qeverisë po atë ditë, që rendin e ditës vetëm një pikë: caktimin e Sandër Lleshajt në postin e zv.ministrër të Brendshëm, duke e “graduar” si ministër të komanduar.

Kryeministri Edi Rama dhe Sandër Lleshaj gjatë prezantimit të tij si zv.ministër të Brendshëm

Rama nxitoi menjëherë pas mbledhjes së qeverisë (foto Rama Lleshaj) që të merrte në makinë Lleshajn dhe ta prezantonte në ministrinë e Brendshme. Në këtë ceremoni të çuditshme e zhvilluar me dyer të mbyllura me 5 zv.ministria do të merrte pjesë dhe ish-ministri. Ndërsa la në zyrë Lleshajn, Rama doli pas 20 minutash nga ministria e Brendshme me Xhafajn. Pas një përshëndetje të ftohtë me ish-ministrin, shefi i qeverisë do të niste betejën e radhës, atë të ripropozimit të Sandër Lleshajt në postin e ministrit të Brendshëm, një vendim të paralajmëruar një ditë më parë në emisionin televiziv.


“Sapo kam rifirmosur për ridërgim kërkesën për dekretimin e Sandër Lleshit Ministër i Brendshëm, drejtuar Presidentit të Republikës. Bashkëngjitur do t'i dërgohet Presidentit edhe një relacion i detajuar shpjegues, në funksion të dekretimit të Ministrit të Brendshëm”, do të shkruante Rama në rrjetet sociale më 9 Nëntor.

https://twitter.com/ediramaal/status/1060823736620867584


Ndërsa më herët Presidenti lëshoi një deklaratë të fortë, duke i cilësuar të gjithë ata që i sulmonin se nuk po e zbatonte Kushtetutën. “Pa dashur të jap leksione për Kushtetutën. Të gjithë amatorëve dhe dilentantëve të njëanshëm i ftoj që të lexojnë Kushtetutën dhe kompetencat e Presidentit. Një akt formal apo ceremonial është vetëm betimi tek presidenti. Të gjithë ata që mendojnë se dekretimi nuk është një akt substancial dhe individual, por formal dhe se presidenti ka detyrë vetëm të firmosë një propozim në këtë rast, pasi në kushtetutë nuk thuhet në mënyrë eksplicite se presidenti nuk mund të kthejë prapa dekretin kam një pyetje tjetër: A mundet parlamenti të rrëzojë dekretin e presidentit për një ministër?", deklaroi Meta, duke i lëshuar një sinjal kryeministrit.

Presidenti Meta duke folur për median


Deri në këto momente situata ishte një tension të plotë. Në lojën e shahut u futën dhe ndërkombëtarët, të cilët kërkonin një ministër në funksionin të plotë, që nënkuptonte caktimin e një ministri të Brendshëm.
Ndërsa eurodeputeti Knut Fleckenstein, një mik i dy partive të majta që sot janë rivale, PS dhe LSI, do të niste një mision për të bindur Presidentin në zgjidhjen e kësaj krize institucionale.

Shtensionimi i situatës dhe ndërhyrja e Ruçit


Presidenti më pas do të udhëtonte drejt Francës për të marrë pjesë në ceremoninë për 110 vjetorin e Armëpushimit të Luftës së Parë Botërore, ndërsa do të urdhëronte stafin të nxirrte letrën me 14 pyetje jo Sekrete për Lleshajn drejtuar ministrisë së Mbrojtjes, kryeministrit Edi Rama dhe kryeparlamentarit Gramoz Ruçi më 11 nëntor.
Dy ditë më parë zëdhënësit e dy institucioneve të Presidencës dhe Kryeministrisë kishin akuzuar njëri-tjetrin për mos bashkëpunim institucional për zgjidhjen brenda afatit kushtetues çështjen “Lleshaj II”, duke paralajmëruar një ballafaqim institucional nëpërmjet shkresash.
Meta do të deklaronte se nuk mund ta dekretonte gjeneralin, pasi ai ishte aktiv dhe kjo gjë binte ndesh me Kushtetutën.

“Duke qenë se, kandidatura e z.Sandër Lleshaj, vjen nga një karrierë e gjatë ushtarake,në zbatim të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, ku ministri si funksion kushtetues, është autoritet civil, në zbatim të neneve 69, 103, 167/1, të Kushtetutës, emërimi i tij në detyrën e ministrit të Brendshëm, paraqet një problematikë themelore kushtetuese. Kjo sepse ushtarakët e shërbimit aktiv nuk mund të zgjidhen ose të emërohen në detyra të tjera shtetërore dhe as të marrin pjesë në parti ose në veprimtari politike, ndërkohë që një ushtarak i shërbimit aktiv nuk mund të kandidojë e as të zgjidhet ministër apo deputet pa hequr dorë më parë nga detyra. Megjithëse Kryeministri është vënë në dijeni mbi këtë ndalim kushtetues, sërish edhe në këtë propozim të ri, nuk është dhënë asnjë shpjegim, informacion si dhe nuk është mbajtur asnjë qëndrim mbi këtë çështje dhe për pasoja të tjera që mund të lidhen me të”, thuhej në letrën e 11 Nëntorit.


Ndërsa i menjëhershëm do të ishte reagimi i kryeministrit, i cili do të shprehej me anë të shkreses, se Presidenti mund ta kishte deklaruar që në fillim këtë çështje dhe se siç shprehej ai “do ta kishin shteruar më kohë këtë vorbullë të panevojshme”.
Dhe zgjidhja i erdhi pikërisht nga Rama në letrën shpjeguese për 14 pyetje, nëpërmjet një propozimi të thjeshtë. “Ekspertët tanë mbrojnë gjithashtu bindjen se edhe nëse ky do të ishte rasti, pra edhe nëse gjeneral Sandër Lleshaj do të ishte ushtarak në detyrë, ç’ dekretimi i tij si i tillë nga Presidenti i Republikës, do të duhej bërë pas miratimit nga Kuvendi të dekretit tuaj për të si ministër. Por, siç na mëson eksperienca jonë, e juaja dhe imja e kam fjalën, që fatmirësisht nuk jemi juristë, kurdoherë e kudo që ka një rast të tillë, ka gjithnjë juristë me opinione të ndryshme. Kështu që, është e tëra e juaja zgjedhja e opinionit tonë të shprehur në përgjigjen e ministër apo e një opinioni të ndryshëm nga i yni dhe, në rast se ky i fundit do të jetë rasti, ju mund ta ç’dekretoni Sandër Lleshajn si gjeneral aktiv (bazuar në kërkesën e tij drejtuar jush) e pastaj ta dekretoni atë ministër të Brendshëm”, do të ishte propozimi i kryeministrit.

Letra e kryeministrit Rama drejtuar Presidentit Meta


Ndërsa lëvizja tjetër do të ishte shkresa e gjeneral Sandër Lleshajt, i cili kërkonte që Presidenti të nxirrte dekret tjetër atë për lirimin e tij si ushtarak, duke zgjidhur ngërçin për emërimin e tij në postin e ministrit të Brendshëm.

https://twitter.com/ediramaal/status/1061956250664161280


Tashmë topi ishte hedhur në Presidencë e gjersa afati kushtetues po shkonte drejt skadimit, Meta do të kthehej nga Franca pikërisht më 14 Nëntor, dy ditë përpara se të shprehej për dekretin e Lleshajt.
Pasditen e 15 nëntorit, Presidenti do të lëshonte sërish deklaratën se askush nuk duhet t’i bënte presion për shkelur Kushtetutën.

“Për dekretin. Unë nuk jam përfshirë në një deklaratë të tillë dhe asnjë polemikë. Jam President për të respektuar i pari Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Nuk ka asnjë presion që mund të ndikojë tek unë për të cenuar Kushtetutën dhe sikurse ju e dini, jam shprehur edhe publikisht për të informuar Kuvendin, në rast se Kuvendi kërkon sqarime. Kam takuar edhe kryetarin e Kuvendit. Vij në pozitën e Presidentit pas një eksperience si kryeministër dhe si kryetar Kuvendi. E di shumë mirë se si funksionon procedura e emërimit të ministrit në vendin tonë. E di edhe nga pozita e kryeministrit. Në ditët e ardhshme do të merrni një përgjigje institucionale dhe korrekte dhe nuk kam ndërmend të përfshihem në debate të karakterit politik dhe spekulativ”, deklaroi Meta.


Ndërsa kryeministri Edi Rama, që pas propozimit të zgjidhjes së ngërçit me qëllim riparimin e kësaj krisjeje zgjodhi të heshtte, duke i lënë fushën e lëvizjes së gurëve Presidentit.
Zgjidhja do të vinte në limitet e fundit kohore kushtetuese, pikërisht në ditën e 7-të. Meta do të nxirrte në mesditë dekretin për nxjerrjen në lirim të oficerit me gradë madhore Sandër Lleshajt.
Lëvizja e Metës do të pasohej me një takim “kokë më kokë” me kryeparlamentarin Gramoz Ruçi, pas një aktiviteti të organizuar nga Unioni i Gazetarëve. Në kafen në hotel Tirana, Ruçi dhe Meta do të bisedonin për më shumë se 30 minuta.

Pikërisht ky do të ishte takimi i dytë Ruçit me Metën, duke bërë që kryeparlamentari tashmë të ishte edhe negociatori i mazhorancës për zgjidhjen e këtij ngërçi.
Gjashtë orë më vonë, Presidenti do të shpallte dekretin për emërimin e Sandër Lleshajt në postin e ministrit të Brendshëm, duke i dhënë fund këtij konflikti trejavor për këtë çështje. Ndërsa në emisionin e mbrëmshëm televiviz “Zonë e Lirë”, Meta do të jepte arsyen se pse pranoi të firmoste herën e dytë për Lleshajn.

Ilir Meta në emisionin e "Zonë e Lirë"

“Sepse dje në këtë kohë, mbasi kam dalë nga emisioni i koleges tuaj Eni Vasili, kam gjetur shkresën zyrtare të Ministres së Mbrojtjes, e cila duhet në përputhje me Kushtetutën bënte propozimin për lirimin nga shërbimi aktiv të Gjeneralit Sandër Lleshaj. Është arsye kushtetuese. Nëse do të ma kishin sjellë më parë patjetër që do ta kisha bërë. Arsyeja ime është kjo dhe për mua kjo nuk është arsye e vogël, është arsye kushtetuese”, do të deklaronte Meta.
Ndërsa këtyre arsyeje iu kundërpërgjigj menjëherë Rama, i cili iu përgjigj: “Dekretimi i Sandër Lleshit ministër i Brendshëm, një shembull kuptimplotë i faktit se edhe kur duket, sikur krisjet janë të pariparueshme a thyerjet të pashmangshme, ka gjithmonë një rrugëzgjidhje nëse ka Vullnet të Mire. Ministri i ri njeriu i duhur në vendin dhe kohën e duhur”.
Por cili doli i fituar në këtë luftë të ashpër mes dy institucioneve, Rama apo Meta? Presidenti mund të gëzohet se e bindi kryeministrin ta fuste çështjen “Lleshaj” në hullinë kushtetuese, duke i dhënë një mesazh Ramës se në të ardhmen duhet të jetë i kujdesshëm në të tilla propozime.
Ndërsa Kryeministri duhet t’i gëzohet faktit se fitoi qëndrimi i tij se Presidenti po shkelte Kushtetutën në mos firmosjen e Lleshajt, i cili i dërgoi dy herë të njëjtin propozim.
Në këtë lojë shahu që ngjan sikur ka përfunduar në “Remi”, më i fituari del Rama, i cili detyroi Metën të tërhiqet nga qëndrimi i tij në mos dekretimin e ministrit. Por loja e shahut pritet të vazhdojë. Tani lëvizja i përket mazhorancës nëse do ta pranojë ose jo dekretin e Presidentit për emërimin e Vitore Tushajt si kryetare e Kontrollit të Lartë të Shtetit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë