Politike

Lufta brenda llojit / Basha çon projektligj në Kuvend për Bardhin: Të dënohet deri në 2 vjet burg për shpifje

Brenda Partisë Demokratike nuk ka qetësi. Te enjten Sali Berisha ka thirrur një protestë para Kuvendit ku mazhoranca bashkë me votat e Lulzim Bashës do të votojnë kërkesën e SPAK për arrestimin e tij. Paralelisht, Lulzim Basha ka depozituar në Kuvend një draft që as me shumë e as më pak lidhet me të vetët, nisur nga akuzat që atij i janë adresuar së fundmi. Më e afërmja ishte ajo e drejtuar nga ish-bashkëpunëtori i tij i ngushtë, Gazment Bardhi, në një debat të zhvilluar në Kuvend në muajin tetor të këtij viti se familjaret e Bashës kishin përfituar dy kate tek Lion Residence si replikë e një qëndrimi më të hershem të Bashës ku e kishte akuzuar Bardhin se po bënte pazare me aleancën e kullave duke iu referuar Berishës.  

Propozimi i Bashës

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, kërkon që në nenin 120 të Kodit Penal që flet për shpifjen, të shtohet edhe një kategori tjetër, deputetët. Por jo vetëm. Krahas masës administrative me gjobë që është përcaktuar aktualisht, Basha kërkon ashpërsimin e masës nga gjobë deri në 2 vite burg.

"Kur, kjo vepër, kryhet nga të zgjedhurit, gjatë kohës së ushtrimit të mandatit, në seancat parlamentare të Kuvendit, apo në çdo forme tjetër, përben kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose burgim deri në dy vjet", thuhet në projektligjin e propozuar nga Basha.

Neni 120 i Kodit Penal

Shpifja

(Ndryshuar paragrafi i dytë me ligjin nr. 8733, datë 24.1.2001; ndryshuar me ligjin nr. 23/2012, datë 1.3.2012)

Përhapja e qëllimshme e thënieve, si dhe çdo informacion tjetër, duke e ditur se janë të rreme, që cenojnë nderin dhe dinjitetin e personit, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë nga pesëdhjetë mijë gjer në një milion e pesëqind mijë lekë. Po kjo vepër, kur kryhet botërisht, në dëm të disa personave ose më shumë se një herë, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë nga pesëdhjetë mijë gjer në tre milionë lekë.

Shtesa e Bashës në Kod

Kur, kjo vepër, kryhet nga të zgjedhurit, gjatë kohës së ushtrimit të mandatit, në seancat parlamentare të Kuvendit, apo në çdo forme tjetër, përben kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose burgim deri në dy vjet

Debati Basha-Bardhi ne tetor 2023  

Lulzim Basha: Nëse keni vendosur në kulisat tuaja të errëta të aleancave të kullave e non gratave, dilni e kini guxim, e thojuni shqiptarëve se jeni pjesë e asaj aleance

Gazment Bardhi: Të jem i sinqertë u emocionova shumë me këtë aleancën e kullave. Ne fakt parafolësi është i vetmi që muajin e fundit ka marrë dy kate në një kullë.

Lulzim Basha: Shpifësit gojë çorap pisët që janë çuar e çohen këtu, ata që natën firmosin për kulla dhe ditën sulmojnë PD për llogari të Ramës. Nuk na e mbyllin dot gojën me shpifjet tuaja 64 katëshe.

...Lulzim Basha: Është një shpifje e pastër e shkollës berishiste, vjen nga një njeri që dje sulmonte babin e Zenit dhe sot është bërë avokati i babait të zenit dhe aleancës së kullave. Familjarët e mi çdo transaksion e kanë transparent ndryshe nga aleanca e kullave dhe avokati tyre i ri Gaz Bardhi

Gazment Bardhi: Familjarët e zotit Basha janë e vetmja aleancë me kullat. Sot janë pronarë të dy kateve në kullën më të shtrenjtë të Tiranës, Lion Residence. Sa i takon kullës 64 kate nuk kam shkuar unë në garazhet e apartamentit të pronarit për t'i kërkuar ndjesë por zoti Basha.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë