Politike

Lu mbetet optimist: Politika t’i trembet drejtësisë së re

Donald Lu është në ditët e fundit të detyrës së tij si kryediplomat i Shteteve të Bashkuara në Tiranë. Ai do të mbahet mend si një nga promotorët kryesorë të reformës në drejtësi dhe së fundmi rrëfeu se mbetet i tillë edhe në këtë fazë të mandatit si ambasador.

Në një intervistë dhënë për Top Channel, mesazhi i përcjellë prej Donald Lu i drejtohet drejtpërdrejtë klasës politike shqiptare.

“Politikanët e korruptuar duhet të kenë frikë”, përsërit Donald Lu.

Ai u dha përgjigje disa pyetjeve të për ecurinë e vetting-ut dhe të ngritjes së institucioneve të reja. Optimizmi dhe besimi se procesi po ecën në drejtimin e duhur është mesazhi kryesor i ambasadorit amerikan, i cili mbështet pa rezerva organet e vetting-ut.

“Kam besim që reforma në drejtësi po prodhon rezultate reale për popullin shqiptar. Po largon gjyqtarë dhe prokurorë të korruptuar dhe të paaftë dhe po konfirmon ata të ndershmit për të vazhduar punën e rëndësishme të gjykatave. Rezultatet janë mbresëlënëse. Komisioni i vetting-ut ka shkarkuar 21 gjyqtarë dhe prokurorë si dhe ka konfirmuar 27”, deklaron ai duke bërë bilancin e deritanishëm të reformës.

Mbetet besimplotë se procesi është një hap madhor drejt një drejtësie të drejtë dhe të pavarur dhe fton edhe qytetarët që të kenë optimizmin e tij.

“Qytetarët e zakonshëm tani duhet të presin të kenë gjyqtarë dhe prokurorë të rivlerësuar dhe të pastër, që nuk do të kërkojnë më rryshfete dhe nuk do t’i përgjigjen më trysnisë politike. Më në fund, qytetarët mund të kërkojnë dhe të presin drejtësi të vërtetë”, deklaron Donald Lu.

Ambasadori Donald Lu thotë se ndan të njëjtin shqetësim sikurse edhe opozita për vonesën në ngritjen e institucioneve të reja të drejtësisë. Por, a është ambasadori amerikan i shqetësuar nga vonesa në ngritjen e KLGJ-së dhe KLP-së?

“Jam dakord me opozitën se është imperative që organet e reja gjyqësore të ngrihen shpejt. Kjo do të lejojë emërimin e një prokurori me mandat të plotë, emërimin e gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë, si dhe krijimin e SPAK dhe BKH. Besoj se jemi pranë krijimit si të KLP edhe të KLGJ”, u shpreh ai.

Procesi për Këshillin e Lartë Gjyqësor është bllokuar nga mungesa e kandidatëve nga gjykatat e apelit në rrethe, një kusht ligjor ky që gara të vazhdojë në një fazë tjetër. Edhe këtu Lu mbetet optimist.

“Këshillit të Lartë Gjyqësor i duhet vetëm një gjyqtar i guximshëm i gjykatave të apelit për të dalë vullnetar që të shërbejë në Këshill. Kam besim që në javët e ardhshme ky proces do të përmbyllet dhe do të ecet përpara me emërimin e gjyqtarëve të rinj, Struktura e Posaçme Antikorrupsion dhe Byroja Kombëtare e Hetimit. Procesi i vetting-ut po funksionon. Jemi shumë pranë hyrjes në fazën tjetër të reformës”, deklaron ai.

Burimi: Top Channel


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë