Politike

LSI, Vasili: Do anulojmë vettingun në polici

Nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasili paralajmëroi se në rast fitoreje të opozitës, qeveria e ardhshme do të anulojë vettingun në polici.

“...Edi Rama nëpërkëmbi dhe shkatërroi e prishi edhe një ligj që u miratua vite më parë për Vettingun në Polici. E këtë ligj që u hartua atëherë me mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë, e ku ne si forcë politike dhamë mbështetjen tonë, në mënyrë që ta pastronim kokën e policisë nga inkriminimi me trafiqe, me korrupsion, me mbështetjen e parave të pista dhe me gjithë veprimtaritë e tjera ilegale dhe kriminale, u katandis dhe u shndërrua në një copë rreckë, sepse u ndryshua totalisht.

Iu hoqën të gjitha nenet përkatëse. I gjithë vettingu në vend të kryhej nga një trupë e pavarur e Policisë, u krye thjesht nga të njëjtët njerëz, që në mënyrë selektive, donin të largonin njerëzit e ndershëm, punonjësit e policisë që zbatojnë ligjin dhe për ti kthyer ata në një polici politike”, tha Vasili përmes një konference për shtyp.

Vasili nënvizoi se vettingu në polici degradoi duke u shndërruar në proces politik.

“Degradimi i këtij ligji ishte kryerja e shantazhit edhe mbi policin më të thjeshtë, duke i kërkuar atij edhe faturat e llacit të banesës së ndërtuar 27 vjet më përpara, të atyre shumë banesave të varfra, të shumë policëve që vijnë nga familje të thjeshta, të ndërtuara me solidaritetin e vëllezërve, kushërinjve, të gjithë bashkë për të siguruar mbijetesën në banimin e tyre. E këta mijëra policë mbahen nën shantazh, e kokat e policisë të përfshira në krim, në trafik, në korrupsion, në drogë e gjithçka kalojnë lehtësisht vettingun, qofshin këta edhe ish-oficerë të Sigurimit të Shtetit”, tha Vasili duke shtuar për pasojë se “ky vetting është nul, zero”.

“Opozita, pas fitores së 25 prillit, do të anulojë këtë ligj të vettingut, do ta shfuqizojë, do ta zhdukë një ligj të tillë të poshtër e të shëmtuar... Do të bëjmë një ligj, që do të kërkojë një pastërti të jashtëzakonshme, qelibar, për të gjithë krerët e policisë sepse populli me të drejtë thotë që: ‘Peshku qelbet nga koka’, e nuk do të lejojmë kurrë që njerëz të inkriminuar të vazhdojnë të qeverisin Policinë e Shtetit”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë