Politike

LSI pro djegies së mandateve, Basha bind edhe Dulen dhe aleatët

Lëvizja Socialiste për Integrim ka vendosur që të mbështesë qëndrimin e PD-së për djegien e mandatve të deputetëve. Pas një mbledhje një orëshe, ka qenë kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi që ka shpallur vendimin e partisë së saj që të djegin mandatet e deputetëve, duke e cilësuar si të vetmen rrugë për kthimin e zgjedhjeve të lira të vend.
Vendimi i LSI-së, erdhi vetëm pas një konsulte që Kryemadhi pati me kryedemokratin Basha më herët në selinë e PD-së.

Partia e dytë opozita për nga numri i mandateve në Parlament, realizoi konsulta të veçanta, ndryhse nga takimi që Basha zhvilloi në zyrë me kryetarët e tjerë të partive aleate si Fatmir Mediu i PR-së, Agron Duka i Partisë Agrare, Dashamir Shehi i LZHK-së dhe Vangjel Dule i PBDNJ-së.
"Duke mbështetur plotësisht zgjidhjen politike të ofruar nga opozita e bashkuar, të një qeverie tranzitore, të gatshme për të ndërmarrë të gjithë hapat e nevojshëm, që do të garantojnë zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe zhbllokimin e procesit të integrimit europian të Shqipërisë, hapjes së negociatave me Bashkimin Europian, përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme të parakohshme parlamentare; Grupi Parlamentar i LSI vlerëson se djegja e mandateve është rruga e vetme për të rikthyer shtetin e së drejtës dhe legjitimitetin e qeverisjes përmes votës së lirë", deklaroi Kryemadhi.


Ajo theksoi se Grupi Parlamentar, vendosi djegjen e mandateve dhe mandatoi Kryetaren e LSI për të ndërmarrë të gjithë hapat statutore dhe politike në përmbushje të këtij vendimi.
Zyrtarë të LSI-së theksojnë se vendimi për djegien e mandateve ishte unanim. Ndërsa më herët deputetë të LSI-së patën qëndrime të dyzuara për djegien ose jo mandateve. LSI ka 17 mandate në Parlament, e se mendohej se jo të gjithë deputetët mund të ishin pro djegies së mandateve.
Aleatët e tjerë të PD-së
Pas mbledhjes së grupit të PD-së, Basha nxitoi që të realizonte një takim me aleatët e partisë së tij, krerët e partive, pjesa më e madhe të cilëve janë deputetë që kanë dalë nga listat e demokratëve.
Aleatët e Partisë Demokratike pas këtij takimi kanë dalë të gjithë bashkë në krah të Bashës për të komunikuar vendimin e tyre se janë pro djegies së mandateve.
Sipas tyre është e domosdoshme largimi i Ramës, për t'i hapur rrugë funksionimit të demokracisë.


Pro kësaj lëvizjeje është shfaqur edhe kreu i PBDNJ-së Vangjel Dule i cili kohët e fundit ka qenë pasiv në skenën politike. " Opozita e bashkuar parlamentare është në kushtet e realizimit të misionit të saj, i cili nuk mbaron me djegien e mandateve të këtij parlamenti ilegjitim, i cili i jep fund qeverisjes ilegjitime të Ramës. Ky koalicion opozitar drejton popullin, mbështetet nga populli për të sjellë ditën e nesërme, një ditë ku do funksionojë demokracia funksionale. Misioni është i vështirë, i rëndë dhe kërkon mbështetjen sot më shumë se kurrë, jo të mbështetësve tradicionale, por edhe ata që janë të gënjyer nga Rama", deklaroi Dule pas takimit.
Kryerepublikani Fatmir Mediu u shpreh i tij vjen edhe si rezultat i detyrimit që është në koalicon të kahershëm me PD-në.
"Kemi detyrimin moral përballë atyre qytetarëve që na kanë votuar, por edhe të atyre që dolën dhe treguan që Rama nuk mund të qeverisë më vendin. Është detyrimi i secilit prej nesh t'i përgjigjemi atij zëri të qytetarëve me një qëndrim të përbashkët që ka të bëjë me djegien e mandateve" deklaori Mediu.
Ndërsa kryedemokristiani Ndoka u shpreh se Rama duhet ta lexojë qartë protestën e opozitës më 16 shkurt.
"Kryeministri duhet ta lexojë qartë protestën e qytetarëve. Rama është kapur duke vjedhur zgjedhjet. Është kapur në korrupsion duke vjedhur dhe besoj që është momenti i reflektimit nga zoti Rama jo vetëm për mandatin si deputet, por edhe si kryeministër. Axhenda e opozitës është e qartë. Nëse nuk lexon mesazhin e qytetarëve është detyra jonë t'i tregojmë si të largohet", tha Ndoka.
Kreu i LZHK-së, Dashamir Shehi theksoi se sa kohë të jetë Rama aty si kryeministri do na shihni bashkë si opozitë. "Ditën që do largohet, mund të shihni ndonjëgjë ndryshe. Ne ato mandate nuk është se na bëjnë ndonjë vlerë të madhe", reagoi Shehi. Po ku qëndrim u pasua nga një batutë e Bashës, ku theksoi se aleatët do të jenë përherë bashkë.
Duka i PAA-së, edhe pse shtoi se është për një zgjidhje institucionale, u shpreh pro djegies së mandateve, meqënëse ky është një vendim i marrë nga opozita e bashkuar. "Ne tre mandatet tona që do të pasohen do t'i djegim", theksoi Duka.


Basha ndërkohë i cilësoi si historike këto vendime të opozitës. "Është pra ekonomia, kriza sociale, emigracioni, që po zbraz Shqipërinë dhe këto probleme kërkojnë zgjidhje. Edi Rama nuk mund t’i japë këto zgjidhje për arsyen e thjeshtë se ai dhe qeveria e tij janë produkt i bashkëpunimit me krimin dhe me oligarkët. Janë të kapur nga krimi dhe oligarkët dhe u shërbejnë vetëm krimit dhe oligarkëve… Ky nuk është shteti që shqiptarët duan, ky nuk është shteti që shqiptarët meritojnë. Dhe këtë shqiptarët e treguan me protestën më të madhe në Shqipërinë më të rrudhur demografikisht në 28 vite. Ndaj, ju ftoj të mbani vëmendjen, sepse keni edhe ju një përgjegjësi të madhe, tek ky moment kyç i historisë tonë, që është mbi të gjitha një moment bashkimi, vetëdijësimi dhe qëndrese. Do të ketë një të ardhme për shqiptarët dhe kjo e ardhme nuk i përket as krimit, as oligarkëve, as pupacëve të tyre në Parlament e në qeveri. U përket shqiptarëve të ndershëm, u përket njerëzve punëtorë të këtij vendi dhe fëmijëve të tyre dhe ne jemi të vendosur t’i prijmë betejës për t’ua dhënë këtë të ardhme Shqipërisë dhe shqiptarëve", deklaori Basha.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë