Politike

LSI: Në Dubai Qeveria shiti Shqipërinë

Lëvizja Socialiste për Integrim akuzon se në darkën e Dubait, Qeveria nuk ka ndarë biftekun, por është ndarë Shqipëria si mall përmes projekteve korruptive në Durrës, Vlorë, Sarandë e Përmet.

“Në tavolinën e Dubait menyja ka qenë Shqipëria. Një antipastë ka qenë saktësisht Durrësi dhe qindra hektarë përqark tij. Një pjatë kryesore biftek ka qenë Vlora, Saranda e Ksamili. E për ta mbyllur ëmbëlsira ka qenë Përmeti. Projekte të shkruara në marrëveshje, e cila sikurse janë dakordësuar bashkë-hajdutët e qeverisë dhe të Parlamentit është e tillë ku për të gjithë këto projekte, nuk do t’i nënshtrohen thonë prokurimit publik, nuk do t’i nënshtrohen tenderit publik, nuk do t’i nënshtrohen procedurës konkurruese publike dhe as një procedure tjetër”, deklaroi Sekretari i përgjithshëm i LSI-së, Petrit Vasili.

Vasili thotë se bëhet fjalë për një plan afatgjatë që ka disa vite që ka nisur të zbatohet. Ai sulmoi edhe ligjin për investimet strategjike, që sipas LSI-së u rrëmben pronat shqiptarëve.

“Sigurisht një nga referimet që ata kanë bërë në marrëveshje ka qenë dhe ligji famëzi i investimeve strategjike i cili është shtetëzim komunist prej mafies rilindëse. Që do të thotë rrëmbim i pronës individuale të çdo shqiptari që ai mos të ndihet zot në pronën e tij, që prona e tij të jetë pa asnjë vlerë sepse merret shpronësohet dhe rrëmbehet dhe nëse u pëlqen mund t’u japin një kothere që është dhjetëra herë me pak se vlera e saj pra rikthim i shtetëzimeve komuniste”, vijoi ai.

Megjithatë, LSI nuk e sheh situatën të pashpresë. Vasili thotë se zgjidhja është më 25 prill.

“25 prilli është arma për të mbrojtur Shqipërinë nga grabitja që po i bëhet pafund asaj por dhe për të mbrojtur veten pasi çdo pronë dhe çdo e drejtë është tashmë e rrezikuar dhe në duart e këtyre grabitqarëve të pangopur të cilët shesin e blejnë pa principe çdo gjë e për të cilën Shqipëria ka vlerë vetëm për xhepin e tyre, janë gati t’ua rrëmbejnë çdo gjë shqiptarëve”, mbylli deklaratën e tij Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së.


Copyright © Gazeta “Si”




Më Shumë