Ka ndodhur

LSI: Ne bëjmë të njohur mënyrën e votimit, policia e politizuar nga Rilindja

Pas procedimit penalisht të drejtuesit të LSI në Pukë për shitblerje të votës, ka reaguar kryesia e LSI-së në Qarkun e Shkodrës.
Nëpërmjet një deklarate për mediat ata theksojnë se aktivistët e LSI janë në të drejtën e tyre për të bërë ushtrime zgjedhore, në vijim të praktikave dhe orientimeve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për mënyrën e votimit.

"Dega e LSI qarku Shkodër informon e sqaron opinionin publik se ngjarja e ndodhur ne Pukë, ku aktivistë të LSI janë marrë nën hetim nga policia është një situatë që tregon politizimin e tejskajshëm të policisë së Rilindjes, thuhet në deklaratë.

Ata e cilësojnë të turpshme dhe skandaloze të dërgosh për ndjekje penale aktivistë politikë, të cilët duan të bëjnë të njohur mënyrën e votimit.

"Fletët e gjetura janë demonstrative dhe nuk kanë si të jenë origjinale, kur ato akoma nuk janë prodhuar. Ato janë thjesht dhe vetëm orientuese dhe natyrshëm përdoren nga të gjithë subjektet politike", vijon më tej deklarata.

Gjithashtu, kryesia e LSI në qarkun e Shkodrës i bën thirrje policisë që të ndalë këtë revansh të turpshëm dhe antiligjor sipas tyre, dhe të angazhohet në kryerjen e detyrave të veta funksionale.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë