Politike

LSI mbyll zgjedhjet: Votoi 80 për qind e anëtarësisë

Anëtarësia e Lëvizjes Socialiste për Integrim votoi këtë të shtunë për të zgjedhur anëtarët e Konventës Kombëtare dhe për të konfirmuar Monika Kryemadhin në krye të partisë.

Për shkak të pandemisë, krahas votimit tradicional me kuti në degët e partisë u aplikua edhe votimi online. Procesi zgjati deri në orën 16:00. Për kryetar, emri i vetëm që kandidoi ishte ai i Monika Kryemadhi. Në fletën e votimit, anëtarësia duhet të shenjonte me po, ose jo konfirmimin e saj në krye të LSI-së.

Pasi votimit, kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi tha se procesi i brendshëm i LSI-së duhet të merret si shembull se si duhet të zhvillohen zgjedhjet në Shqipëri.

“Të realizosh zgjedhje të lira dhe të ndershme nuk do të thotë gjë tjetër veçse të duash vendin tonë”, tha ajo.

Të drejtë vote patën qytetarët që janë pjesë e kësaj force politike dhe janë regjistruar me kartë anëtarësie, pasi të jenë regjistruar në platformën e posaçme online të ngritur për këtë proces.

Sipas deklaratës së Silva Cakës, kryetare e Komisionit të Zgjedhjeve në LSI, në përfundim të procesit kanë votuar rreth 44 mijë e 500 anëtarë, ose 80 për qind e anëtarësisë totale të partisë.

“Përfshirja e votimit online krijoi mundësi reale që anëtarët e partisë të shprehnin gjerësisht vullnetin e tyre duke kapërcyer edhe barrierat jo të pakta që Pandemia krijoi. 28.285 anëtarë të LSI votuan fizikisht dhe mbi 16.128 anëtarë votuan online”, tha Caka.

Caka e vlerësoi procesin dhe pjesëmarrjen si sinjal fitoreje më 25 prill.

“Pandemia dhe varfëria nuk munden dhe nuk do të ndalojnë demokracinë. Pa aktivizëm, pa organizim, pa “popull” nuk ekziston demokracia, ku në themel qendron qytetari. Prandaj ky votim masiv i LSI është një mesazh kombëtar dhe një thirrje kumbuese për pjesëmarrje masive në zgjedhje, aktivizëm, ngritje zëri. LSI u tregoi sot të gjithë shqiptarëve se është shembulli i partisë së solidaritetit social veçanërisht në këto kushte kur shqiptarët kanë nevojë për ndjeshmëri, për solidaritet dhe politikë me zemër”, u shpreh ajo.


Copyright © Gazeta “Si”



Më Shumë