Lëvizja Socialiste për Integrim e mbështet programin ekonomik të Partisë Demokratike dhe shtyllën e këtij programi që është rikthimi tek taksa e sheshtë në nivelin 9 për qind.
Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi e përfshiu këtë tek një nga pesë prioritetet që në rast fitoreje të zgjedhjeve më 25 prill dhe koalicioni me PD, synon të përmbushë brenda pesë muajve të parë të qeverisjes.
Kryemadhi prezantoi këtë të hënë programin ekonomik dhe politik. Ajo foli për një dakordësi të të gjithë spektrit opozitar në lidhje me këtë program.
“Taksa e sheshtë 9 për qind ka dakordësi me partnerët opozitarë. Do të realizojmë një reformë arsimore, mbështetje 5 për qind të buxhetit për arsimin dhe taksë arsimi 1 për qind për kompanitë e mëdha”, tha Kryemadhi.
Kryetarja e LSI-së premtoi gjithashtu për fermerët heqjen e TVSH-së për të gjithë zinxhirin e prodhimit.
Kryemadhi thotë se në këto 4 vite shqiptarët jetojnë më keq se ç’kanë jetuar 4 vite më parë dhe se pjesa dërmuese e rinisë shqiptare po humbet shpresën.
“Prandaj sot me shumë se kurrë lind nevoja e ndryshimit, i cili vjen me votë por edhe me ndërgjegjësim dhe duke sjellë besim tek njerëzit. Njerëzit kanë nevojë për besimin që ngjall shpresën dhe kjo shpresë e dërmuar nga keqqeverisja mund të kthehet vetëm duke folur me njerëzit me një program dhe plan të qartë dhe real që ne si Lëvizje Socialiste për Integrim e kemi tashmë prezent për ta prezantuar dhe ofruar të gjithë qytetarëve”, u shpreh ajo.
Kryetarja e LSI-së u shpreh se thelbi i programit të kësaj partie është punësimi, rimëkëmbja e ekonomisë dhe arsimi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.