Lajme

LSI: Kryemadhi mandatohet të negociojë me Bashën

Nënkryetari i LSI, Luan Rama, nëpërmjet një deklarate për mediat bëri me dije vendimin e Lëvizjes Socialiste për Integrim për të mandatuar kryetaren Monika Kryemadhi për të negociuar me kreun e PD për të arritur një marrëveshje të frontit opozitar.
“Kryesia vendosi të mandatojë Kryetaren e Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe Sekretarin e saj të Përgjithshëm që të finalizojnë marrëveshjen e bashkëpunimit me Partinë Demokratike dhe të gjithë Frontin Opozitar për garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme për të garantuar jo vetëm mbrojtjen e interesit publik dhe aksionin opozitar, përfshirë këtu edhe detyrat e qeverisë tranzitore, në mënyrë të veçantë, duke specifikuar në detyrat e saj edhe platformën për zgjedhje të lira dhe të ndershme”, u shpreh nënkryetari i LSI-së.
Sipas tij, shoqëria shqiptare pasi të çojë vendin në zgjedhje të parakohshme, duhet të reformojë sistemin aktual politik.
“Problemi i madh që duhet të zgjidhë shoqëria shqiptare është mbi të gjitha që pasi të kemi çuar vendin në zgjedhje të parakohshme përmes qeverisë transitore, t’i çelim rrugën reformimit tërësor të sistemit politik, sepse sistemi aktual politik rezulton i dështuar, i kalbur, i kriminalizuar.
Për fat të keq Shqipëria është rikthyer në kushtet e realitetit politik të viteve 90-91, kur Kuvendit apo Parlamentit të atëhershëm të Partisë së Punës, i mbeti vetëm një detyrë. Të çonte vendin në zgjedhje për të garantuar pluralizmin politik dhe demokracinë pluraliste në Shqipëri”, tha ndër të tjera Rama.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë