Lajme

Loti i parë i Unazës së Re gati në 2022. Çelet gara për tenderin

Pas miratimit të projektit të ri në Këshillin Teknik, Autoriteti Rrugor Shqiptar ka hapur sërish garën e prokurimit publik për lotin e parë të Unazës së re, me një fond limit prej 2,25 mld lekë pa TVSH.

Punimet për “Rehabilitimin e segmentit rrugor ‘Mbikalimi Pallati me Shigjeta-Rrethrrotullimi Shqiponja’, loti 1” do të nisin vitin e ardhshëm.

Agjencia e Prokurimeve Publike ka njoftuar publikisht kontratën në faqen e saj të internetit ku specifikon edhe grafikun e punimeve, sipas të cilit, zbatimi i projektit do të nisë në muajin janar të vitit 2020, ku në 120 ditët e para do të bëhet përcaktimi i zonave të shpronësimit.

Zbatimi i projektit do të zgjatë 735 ditë. Dorëzimi i tij do të bëhen në muajin shkurt të vitit 2022.

Projekti i ri parashikon heqjen e mbikalimit të parashikuar për t’u ndërtuar te sheshi Shqiponja, duke e zëvendësuar atë me një nënkalim me korsi të dedikuara për autobusët, biçikletat, duke i dhënë rëndësi të veçantë gjelbërimit.

Por, teksa projekti ndryshon, kjo nuk vlen për shpronësimet e banorëve që preken prej tij, të cilët vazhdojnë ende të protestojnë.

Buxheti i vitit 2019, kishte parashikuar vlerën prej 539 milion lekëve për këtë projekti, por me shtyrjen e zbatimit të tij, mendohet që fondi do të digjet.
Në fillimdhjetor 2018, emisioni “Të Paekspozuarit” në televizionin “News 24” publikoi disa dokumente që hidhnin dyshime të forta mbi tenderin e zhvilluar për ndërtimin e Unazës së Madhe të Tiranës.

Fituesi në atë kohë për realizimin e një prej 3 pjesëve të rrugës, ishte bashkimi mes kompanisë shqiptare Biba X dhe kompanisë DH Albania, kjo e fundit e rregjistruar në muajin korrik të këtij viti, pak përpara se të hapej tenderi, me përfaqësues të saj një 26-vjeçar shqiptar, Avdiol Dobi.

Sipas dokumenteve të bërë publikë, të cilët i referoheshin Qendrës Kombëtare të Biznesit (QKB), kompania DH Albania, rezultonte degë e kompanisë Dunwell Haberman, themeluar në shtetin Delawere të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në qershor të vitit 1998. Për këtë ajo ka depozituar në Qendrën Kombëtare të Biznesit në Shqipëri, një letër nga Sekretari i Shtetit të Delaware, Jeffrey Bullock, që vërteton aktivitetin e saj në këtë shtet dhe po ashtu dhe datën e themelimit 20 vjet më parë.

Por më pas të dhënat e Departamentit të Korporatave, treguan se ky entitet është krijuar në 25 Qershor 2018. Datat dhe numrat e verifikimit, gjithashtu janë ndryshuar në disa vende në dokumentat e dërguara”, shkruhej në përgjigjen që Departamenti i Shtetit të Delaware.
Çështja rezultoi një skandal dhe qeveria e anulloi atë tender. Sipas Ministres Belinda Balluku, qeveria ka çuar në gjykatë kompaninë e sigurimit për garancinë e Unazës së Re e cila është në vlerën e 2 mln eurove


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë