Ngjarje

Lompardia dhe Veneto futen në karantinë! Italia nuk përjashton ndërhyrjen e ushtrisë, pezullohet Seria A

Qeveria italiane zhvilloi një mbledhje të jashtëzakonshme mbrëmjen e së shtunës, në përfundim të të cilës u ndërmorën disa masa shtrënguese në Veneto dhe Lompardi, dy rajonet ku janë regjistruar rreth rreth 70 të infektuar me koronavirus dhe dy viktima.

“Miratuam një akt normativ me masa për përballimin e emergjencës së epidemisë. Qëllimi është të mbrojmë shëndetin e italianëve”, deklaroi në përfundim të mbledhjes kryeministri italian, Giuseppe Conte.

Conte sqaroi se sipas aktit normativ me fuqinë e ligjit ndalohen hyrje-daljet në zonat me numrin më të lartë të të prekurve nga virusi, ndërkohë që autoritetet vendore kanë marrë vendimin për pezullimin e çdo aktiviteti pune, manifestimi kulturor dhe çdo event tjetër publik a privat ku tubohen njerëzit.

Në izolim janë vendosur zonat Bertonico, Castiglione d’Adda, Terranova dei Passerini, Castelgerundo, Codogno, Maleo, Casalpusterlengo, Fombio, Somaglia, San Fiorano.

Respektimi i masave ekstreme të ndërmarra u është besuar forcave të policisë, ndërsa Conte nuk përjashtoi mundësinë që nëse do të jetë e nevojshme të ndërhyjë edhe ushtria.

“Kemi urdhëruar forcat e policisë që të zbatojnë këto masa dhe nëse do të jetë e nevojshme do të kërkohet edhe ndërhyrja e ushtrisë, por ne kemi shumë besim tek bashkëpunimi dhe mirëkuptimi i qytetarëve në këto momente të vështira”, tha Kryeministri italian.

Masat parashikojnë ndalimin e shkollave dhe të aktiviteteve sportive. Ministri i Sportit, Vincenzo Spadafora vendosi që të pezulloi të gjitha aktivitetet sportive në Veneto dhe Lompardi, duke shtyrë tre ndeshjet e Serisë A, Atalanta-Sasuolo, Verona-Kaljari dhe Inter-Sampdoria.

Qeveria italiane refuzoi për momentin mundësinë e pezullimit të lëvizjes Shengen dhe mbylljen e kufijve. “Mbyllja e kufijve është një zgjedhje joproporcionale për momentin. Nuk jemi në kushtet për një nismë kaq ekstreme me ndikim shkatërrues tek ekonomia”, u shpreh Kryeministri italian.

Numri i personave të prekur me virusin ka shkuar në 76, 54 në Lompardi, 17 në Veneto, 2 në Emilia dhe Lazio dhe 1 rast në Piemonte.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë