Futboll

Lojtari i parë pozitiv në Kosovë, një emër i njohur dhe në Shqipëri

Është regjistruar në futbollin kosovar rasti i parë pozitiv me koronavirus. Bëhet fjalë për sulmuesin e Dritës së Gjilanit, shqiptaro-maqedonasin Izair Emini. Fillimisht, shtypi kosovar ka bërë me dije se një futbollist i Dritës kishte rezultuar pozitiv, pa përmendur emër, më pas është zbuluar se ishte pikërisht Emini.

Ky futbollist është i njohur për futbolldashësit shqiptarë, veçanërisht për ata të Kukësit, pasi për Emini ka mbajtur fanellën e ekipit verilindor në Superiore, madje është shpallur edhe kampion i Shqipërisë.

Izair Emini (numri 8) me fanellën e Kukësit. Gazeta Si, 20 maj 2020

Sulmuesi nga Maqedonia e Veriut ka folur për “Gazeta Olle” në Kosovë, duke u shprehur: “Testin e Covid-19 e kam bërë në Shkup, në një spital privat. Sot mora rezultatet dhe dola pozitiv. Ajo që më habit më së shumti është se nuk kam asnjë lloj shenje të këtij virusi. Gjithsesi, ndjehem shumë mirë, madje jam stërvitur shumë, pa asnjë lloj problemi. Tani duhet të qëndroj i izoluar për 14 ditë, në bazë të rekomandimeve”.

Emini është aktivizuar përveç Dritës në Kosovë dhe Kukësit në Shqipëri edhe me Shkëndijën e Tetovës dhe Renovën në Maqedoninë e Veriut. Në kampionatin shqiptar 34-vjeçari ka luajtur në periudhën 2016-2017, duke dhënë kontributin e tij me fanellën e Kukësit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë