Futboll

Lojtarët e Çelsit i kërkojnë pronarit trajner të ri, një shans edhe për Brojën

Gazeta Si - Pavarësisht besimit të treguar deri tani ndaj trajnerit Mauricio Poçetino, Çelsi mund të bëjë ndryshimin në stol pas përfundimit të sezonit.

Sipas ‘HITC Football’, disa prej lojtarëve kryesorë të ‘bluve’ të Londrës i kanë kërkuar pronarit të klubit që të largojë trajnerin argjentinas. Ata madje edhe kanë ‘kërcënuar’ me largim nga Çelsi, nëse qëndron trajneri Poçetino.

Një trajner i ri mund ta ndryshonte situatën edhe për sulmuesin e Kombëtares, Armando Broja, që në verë do të kthehet te Çelsi, pas mbylljes së huazimit te Fulhemi. Për momentin nuk ka asnjë emër si kandidat të mundshëm për t’u ulur në stolin e Çelsit, ndërsa klubi për momentin nuk ka bërë hapa konkretë në këtë drejtim, duke ia lënë gjithçka verës.

Poçetino në fillim e mbështeti sulmuesi kuqezi, duke i besuar edhe një fanellë titullari në disa raste. Argjentinasi priste që Broja të shpërthente pas rikthimit të tij nga dëmtimi, por kjo gjë nuk ndodhi dhe në janar u vendos që të huazohej te Fulhemi për të pasur më shumë hapësirë. Edhe në këtë rast situata shkoi keq për lojtarin e Kombëtares shqiptare, që e ka parë veten jashtë skuadre.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë