Futboll

Lojtarët anglezë nuk janë dakord: Ne nuk jemi kavie laboratori

Polemikat në lidhje me rifillimin ose jo të futbollit është një çështje që i përket gjithë futbollit botëror. Pas 6 rasteve pozitivë ditën e djeshme, Anglia e futbollit fillon të ketë frikë. Polemika kryesore tani është studimi i Zyrës për statistikat kombëtare të Mbretërisë së Bashkuar, sipas të cilit anëtarë të grupit BAME (Black, Asian and Minority Ethnic) kanë katër herë më shumë mundësi të vdesin nga Koronavirus sesa të bardhët. Shoqata e lojtarëve anglezë i ka kërkuar Premier League të ushtrojë kontrolle të tjera për të evituar rreziqet.

Pas fjalëve të ashpra të kapitenit të Watford, Troy Deeney (“Mjafton një person i infektuar brenda grupit: im bir është 5 muajsh, ka vështirësi në frymëmarrje dhe nuk dua ta vendos në rrezik”), kanë mbërritur ato edhe më të ashpra të Danny Rose, të Newcastle: “Njerëzit po na shtyjnë të kthehemi në fushë si të ishim kavie laboratori. Do të bëjmë këtë eksperiment dhe do të kuptojmë nëse funksionon ose jo. Njerëzit që na ndjekin nga shtëpia, mendojnë se meqë fitojmë shumë para, duhet edhe të kthehemi të luajmë”.

I ndryshëm opinioni i Jurgen Klopp: “Mendoj se situata është nën kontroll dhe janë kushtet për tu ndjerë të sigurtë. Qendrat tona sportive janë vendet më të sigurta. Askush nuk mund të infektohet brenda tyre”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë