Lajme

Lobimi në SHBA, Prokuroria merr të pandehur Lulzim Bashën

Prokuroria merr të pandehur Kreun e PD-së Lulzim Basha për çështjen e lobimit në SHBA nga një kompani ruse. Prokuroria e Tiranës ka nxjerrë një urdhër paraqitje kundrejt liderit të Partisë Demokratike të Shqipërisë, Lulzim Basha dhe dy bashkëpunëtorëve të tij, i cili është publikuar nga Illyria Press.

Prokuroria e Tiranës e dërgoi shkresën mesditën e datës 13 qershor, e cila mban firmën e prokurorëve të çështjes Ervin Karanxha, Gjergji Tako dhe Kole Hysenaj. Nën hetim janë marrë gjithashtu edhe ish-sekretari i përgjithshëm dhe ish-deputeti Arben Ristani si dhe Ilir Dervishi ekonomist në PD.

Prokurorët e Tiranës regjistruan procedimin penal nr.645 të vitit 2018. Pas përfundimit të fazës paraprake hetimore prokurorët gjetën elemente të veprave penale të kryera nga shtetasit Lulzim Basha, Arben Ristani dhe Ilir Dervishi. Veprimet përfshinë marrjen e letër-porosisë nga autoritetet në SHBA.

Në datën 17 qershor prokuroria e Tiranës pret t’ua komunikojë vendimin shtetasve Basha, Ristani dhe Dervishi. Ata duhet të paraqiten në Prokurorinë e Tiranes, në orën 09:30, mbështetur në nenin 304/1, 308 te Kodit te Procedures Penale.

Urdhri i paraqitjes në Prokurori vjen në kohën kur vendi ndodhet në një krizë politike, opozita ka deklaruar mospjesëmarrjen në zgjedhje, Presidenti ka anuluar zgjedhjet e 30 qershorit dhe maxhoranca kërkon të bëjë zgjedhje me çdo kusht, ndërsa ka nisur procedurat për shkarkimin e Presidentit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë