Futboll

Llogaritë nuk dalin në Saudi Pro League, më shumë kampionë dhe më pak spektatorë!

Gazeta Si – Kampionati saudit bën llogaritë, ku dalin të dhëna shumë zhgënjyese sa i takon pjesëmarrjes së tifozëve në stadium. Vetëm katër klube njohin rritje në raport me sezonin e kaluar. Al-Itihad është një rast i çuditshëm.

Kampionati saudit ka mbërritur në 1/3-ën e rrugëtimit të tij. Janë luajtur 11 javë nga 34 në total të sezonit 2023-24 për një nga turnetë më të diskutuar të futbollit, pas ‘boom’-it të kampionëve që zbarkuan në Saudi Pro League në sesionin e fundit të merkatos.

Nga Sergej Milinkoviç-Saviç te Marselo Brozoviç, nga Karim Benzema tek Aimerik Laporte dhe Ruben Neves deri te Sadio Mane. Janë shumë ‘top players’ që kanë lënë klubet e tyre dhe ligat më të forta në Europë për të pranuar milionat e klubeve saudite, duke iu bashkuar Kristiano Ronaldos, i transferuar tek Al-Nasr janarin e kaluar.

Sipas të dhënave të ‘Times’, vetëm 4 nga 14 klubet e nivelit elitar kanë rritur mesataren e spektatorëve në raport me sezonin e kaluar. Bëhet fjalë për Al-Etifaq, Al-Hilal, Al-Nasr dhe Al-Raed, ky i fundit në fundin e renditjes. Al-Etifaq regjistron edhe një rekord negativ, atë të ndeshjes me më pak spektatorë, vetëm 696 tifozë në humbjen 1-0 ndaj Al-Rijadh.

Kujtojmë që Al-Hilal, Al-Ahli, Al-Nasr dhe Al-Itihad kanë shpenzuar në merkato shuma të vëna në dispozicion nga fondi PIF. Këto 4 klube janë të vetmit që këtë vit kanë një mesatare më të lartë se 10.000 persona. E çuditshme statistika e Al-Itihad. Skuadra e Benzema, Kante dhe Fabinjo është ajo me mesataren më të lartë, 29.044 tifozë për ndeshje, por kjo e dhënë është çuditërisht në rënie në raport me 40.453 të sezonit të kaluar.

Një e dhënë që nuk shkon në linjë me sforcot ekonomike. Kjo vlen edhe për Al-Nasr të Ronaldos, që kalon nga një mesatare 17.638 spektatorë për ndeshje në 20.615. Abha është skuadra me mesataren më të ulët, 1988 spektatorë për ndeshje.

Ndeshja më e ndjekur e Saudi Pro League është Al Hilal-Al Fajha e 19 gushtit, ku debutoi Nejmar, aktualisht i dëmtuar në gju. Kjo ndeshje e luajtur në ‘King Fahd International Stadium’ u ndoq nga 59.600 spektatorë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë