Futboll

Llogaritë e dështuara të Çelsit, 873 milionë euro të shpenzuara për 1 pikë për ndeshje

Gazeta Si – Gjatë vitit 2023 skuadra e Armando Brojës ka fituar vetëm 9 ndeshje nga 39 të luajtura në total. Nga Enco Fernandez te Kaisedo, llogaritë e turbo-merkatos së pronarëve amerikanë nuk dalin, përkundrazi janë një dështim total.

Katastrofa ka një kosto: 873 milionë euro. Kaq ka investuar Çelsi për blerjet gjatë 2023-shit, me 2 fushata rekord në janar dhe në verë. Klubi ka investuar te talentet e reja për t’u kthyer fitues. Ideja e Tod Boehlit dhe bashkëpunëtorëve të tij, me investime më të larta se gjithë kampionatet e forta, po mbytet në një det zhgënjimi.

Çelsi është një skuadër mediokër e Premier Ligës në 2023-shin. Ka grumbulluar 39 pikë në 39 ndeshje, me mesataren 1 pikë për ndeshje. Ka vetëm 9 fitore, më pak se të gjithë (Siti ka më shumë, 27 fitore në 38 ndeshje), duke përjashtuar skuadrat e rëna nga kategoria dhe ato që janë ngjitur.

Ato 873 milionë duhej të sillnin shumë më shumë se vendit i 12-të që londinezët mbajnë në klasifikim. Viti 2023 i Çelsit nisi me 121 milionë eurot e paguara te Benfika për Enco Fernandez, të riun më të mirë të Botërorit 2022. Në atë kohë ishte blerja më e shtrenjtë në historinë e merkatos angleze.

Rekordi zgjati deri në fillim të gushtit, kur u ble Moises Kaisedo nga Brajtoni për 133 milionë euro. Mykhailo Mudrik erdhi nga Shakhtari në janar për 100 milionë euro, blerja e 3-të më e shtrenjtë e vitit. Problemi është se anjëri prej tyre deri tani nuk e ka merituar çmimin aq të lartë. Çmim që u bë një peshë në hapat e parë të Mudrik dhe Kaisedo. Edhe Fernandez nuk duket një mesfushor prej 121 milionë eurosh.

Kaisedo, Fernandez dhe Mudrik, sipas çmimit, përfaqësojnë identikitin e tipit të lojtarit, tek i cili Çelsi beson. I ri, me talent për të qenë në radarët e skuadrave të mëdha, por me marzh përmirësimi për t’u bërë kolona të bluve për shumë vjet. I vetmi përjashtim është 26-vjeçari Kristofer Nkunku, që u ble 60 milionë euro nga Lajpcigu në qershor, por që u dëmtua dhe ende nuk është parë.

Investimi më i mirë duket ai i Kol Palmer, 21-vjeçari i blerë 46.5 milionë euro nga Mançester Siti. Ai ka bërë për vete si trajnerin Poçetino, ashtu edhe kombëtaren angleze. Edhe Nikolas Xhekson, sulmuesi i blerë 37 milionë euro nga Vilarreali, po tregon me 6 golat e shënuar se i ka numrat.

Në mbrojtje, pavarësisht 85 milionë eurove të shpenzuara mes janarit dhe qershorit për Badiashile dhe Disasi, më i miri mbetet Tiago Silva, 39 vjeç, lojtari më i vjetër në historinë e Çelsit. Në mesfushë, dyshja e qendrës me më shumë se 250 milionë euro kosto, nuk ka mundur kurrë të jetë padrone e lojës.

Ideja e të rinjve mund të jetë e mirë, nëse nuk bëhen llogaritë me rezultatet. "Duhet durim, sepse projekti ynë do të japë frytet e tij, por jemi Çelsi dhe nuk mund të harrosh të fitosh”, - ka thënë shpesh trajneri Mauricio Poçetino. Ai ka kërkuar përforcime, që duken të nevojshme për të përshpejtuar planin e rritjes.

Këtë herë Çelsi duhet të ndryshojë strategji, të synojë lojtarë të afrimuar sidomos në sulm, ku ëndrra mbetet Viktor Osimhen dhe alternativa Ivan Tonei, për të cilin Brentfordi kërkon 90 milionë, edhe pse lojtari kthehet pas 8 muajsh skualifikim. Në 2024-ën Çelsit i duhet të dalë nga ky mediokritet.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë