Para

Llogaritë dhe depozitat e jorezidentëve u rritën ndjeshëm edhe vitin e shkuar

Në 2021-shin numri i llogarive të jorezidentëve shënoi një rritje të ndjeshme me 13.3%, sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë duke arritur thuajse në 45 mijë në fund të vitit të kaluar.

Numri i tyre ka arritur nivelet më të larta historike dhe dominohet me llogaritë e individëve, me pothuajse 96% të totalit.

Rritja e numrit të llogarive në vitet e fundit po shoqërohet edhe me rritje me ritme relativisht të larta të depozitave të jorezidentëve.

Vitin e kaluar depozitat e jorezidentëve në bankat tregtare shqiptare sipas BSH arritën vlerën e 18 miliardë Lekëve ose 150 milionë Eurove. Ata u rritën me 34%, normë rritje rreth tre herë e gjysëm më e lartë krahasuar me vitin 2020.

Sipas Bankës së Shqipërisë, në fund të muajit maj depozitat e jorezidentëve arritën vlerën rekord të 22.3 miliardë Lekëve, në rritje me 23.5% që nga fillimi i vitit. Megjithatë, vlera e depozitave të jorezidentëve ende nuk ka arritur nivelet më të larta historike, që u regjistruan në vitin 2014.

Depozitat e jorezidentëve në sektorin bankar shqiptar kane qenë historikisht të lidhura me emigrantët, që një pjesë të kursimeve të tyre kanë zgjedhur t’i mbajnë në bankat shqiptare.

Në dekadën e fundit, depozitat e jorezidentëve arritën kulmin në fund të vitit 2014, për një shumë totale prej 24 miliardë Lekësh. Gjatë viteve në vazhdim, vlera e depozitave të jorezidentëve pësoi një rënie graduale, duke zbritur në intervalin mes 13 dhe 14 miliardë Lekëve para pandemisë.

Megjithatë, dy vitet e fundit kanë ndjerë rritje të konsiderueshme.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë