Editorial

Protesta për Klodian Rashën dhe heshtja e Ilir Metës dhe Lulzim Bashës

“Ku je o Ilir Meta, dil e drejtoje këtë popull”, thërriste Arkimed Lushaj i njohur për të rinjtë si Stresi, i cili dy ditë më parë, (ende pa u shpallur në kërkim), protestonte kundër Policisë para dyerve të Ministrisë së Brendshme.

Por Ilir Meta nuk iu përgjigj. Të paktën publikisht. Njeriu që thërret për protesta e ngritje të popullit në këmbë, njeriu që po këmbëngul me fjalë se populli do ta japë përgjigjen me 25 prill, njeriu që bën thirrje për respektim të drejtave të njeriut, për stabilitet dhe marrje masash në një kohë kur pandemia ka pllakosur shumë kënd, heshti.

Ilir Meta, njeriu që na shpërfaqet kundër shkeljes më të vogël në këtë vend, në emër të ligjit dhe Kushtetutës, nuk foli.

Nuk tha asnjë fjalë në harkun kohor të 48 orëve kur një tubim i iniciuar (nga rrjetet sociale) me të drejtë në shenjë proteste ndaj vrasjes së Klodian Rashës nga një efektiv policie devijoi çdo qëllim të saj e u shpërnda pa nam e nishan.

Ilir Meta nuk foli kur dje qëllohej i madh e i vogël nga njëra anë Policia, e në anën tjetër ata që hakërreheshin me çfarë u dilte përpara, para kryeministrisë, ministrisë së Financave, ministrisë së Brendshme, Bibliotekës Kombëtare, Muzeut Historik, kur digjnin kosha plehrash e bllokonin rrugët, kur bizneset ulën qepenat se diçka e mirë nuk po u vinte në derë.

Fundja ai nuk reagoi as për rastin e kundërt, kur Avokatja e Popullit kujdesej për minorenët e kapur nga Policia, të  shumtë në numër një ditë më parë. Jo dhe jo. Ai nuk reagoi as kur Policia e Shtetit kishte një mesazh të drejtpërdrejt pikërisht për prindërit e tyre.

Ilir Meta reagoi befas dhe me të drejtë ndaj ndalimit të një gazetari i cili po raportonte nga vendi i ngjarjes. Por vetëm kaq.

Në një mesazh të gjatë për gazetarin Xhoi Malësia i ndaluar nga organet e rendit një ditë më parë, Ilir Meta nënvizon  se ky është një rast thellësisht i papranueshëm dhe i dënueshëm.  

Meta flet për përdorim të panevojshëm dhe shproporcional të forcës nga ana e Policisë së Shtetit dhe i kërkon organit të Prokurorisë të nisë pa vonesë një hetim të pavarur për të vënë para përgjegjësisë ligjore “frymëzuesit, urdhëruesit dhe autorët e kësaj dhune fizike e verbale jo vetëm ndaj gazetarit Xhoi Malësia, por dhe ndaj qytetarëve e përfaqësuesve të shoqërisë civile”.

Ilir Meta dha një qëndrim politik se ajo që ndodhi, pra vrasja e Klodian Rashës nga një efektiv i policisë është një përgjegjësi direkte e funksionarëve dhe drejtuesve të lartë të Policisë së Shtetit dhe Ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshaj.

Meta kërkoi hetim të shpejtë, të plotë, të pavarur, objektiv dhe transparent për ngjarjen e rëndë.  

I kërkoi Prokurorisë të hetojë intensivisht, të zbardhë të vërtetën si dhe i bëri thirrje shoqërisë civile të jetë më aktive në krah të mbrojtjes të të drejtave të qytetarëve në raport me veprimet e Policisë së Shtetit. Hetimi u bë. Prokuroria e ka çuar dosjen në gjykatë dhe efektivi i Policisë aktualisht është pas kangjellave të burgut. Dha dorëheqjen edhe ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj.

Por Ilir Meta nuk foli më.  Kaq tha Meta për njërën anë të medaljes, presidenti i Republikës i emëruar në atë vend për të bërë thirrje për paqe, stabilitet respektim të ligjit dhe Kushtetutës.

Në harkun kohor të 48 orëve, njeriu që i pëlqen të kredhet tek mesazhet e forta e të drejtpërdrejta u fsheh pas qëndrimesh të kamufluara herë duke përdorur si kauzë lumin e Vjosës, herë ditën e të Drejtave të Njeriut e herë duke u fokusuar tek ndalimi i një gazetari për të lëshuar ndonjë thumb ndaj disave në Polici.

Po kryetari i opozitës, Lulzim Basha çfarë tha? Fillimisht përmendi vrasjen e Klodian Rashës në një takim spontan me të rinjtë në qytetin e Vlorës, nxori më pas drejtues të PD-së nëpër rrjete sociale për të thënë se përgjegjësi është vetë shteti, nuk dha asnjë qëndrim konkret për deklaratën e Ramës një ditë më parë, (duke nxjerre si rrallë herë një zyrtar PD-je dy orë para se Rama të fliste, për t’i paraprirë kartës së djegur të tyre, se Lleshaj do të dorëhiqej), dhe vetëm pas më shumë se dy orë kur nyjet kryesore te Tiranës ishin ndezur në flakë nga lloj lloj kontingjenti të rinjsh që herë grumbulloheshin e herë shpërndaheshin pa busull, përcolli një mesazh pesë radhësh se “boll më”, se problemi i vërtetë nuk ishte Sandër Lleshaj por vetë ai, kryeministri i vendit.

Basha do të përmendte vetëm një fjali për njërën anë të medaljes se si shteti dhe policia po arrestonte të rinjtë, gazetarë dhe opozitare, pa përmendur anën tjetër, atë që ai e ka provuar politikisht vetë mbi kurriz në ngjarjet e 21 Janarit kur ishte ministër i Brendshëm, dhunën.

Basha, njeriu i cili kujdeset në maksimum për të shpërfaqur anën e tij më të mirë, atë të zbatimit të ligjit dhe rregullave të këtij shteti,  nuk kishte një përgjigje për kaosin e Tiranës.

Ashtu si edhe për protestat në rrethe që degjeneruan në prishje stolash, vazosh e koshash për të treguar se ja populli po ngrihet e ku as më shumë e as më pak vetë organizatorët ishin pjesëtarë të forumeve rinore të PD dhe LSI.

Basha nuk mundet që njëherë të nxjerrë protestën model të FRPD-së në rrugët e kryeqytetit për vrasjen e Klodian Rashës dhe vetëm një orë më pas, të përcjellë nje anë tjetër nga disa njerëz me lidhje te aferta me PD-në, për tu distancuar ne dukje nga ata.

Ai nuk mundet që në mesazhin e tij për 30 vjetorin e themelimit të PD-së t’i kthehet Bashës së një jave me parë se vendi është në kolaps, se qeveria dështoi me pandeminë, se ekonomia është në humnerë, për ta përzierë ndër radhë me vrasjen e Klodian Rashës në derë të shtëpisë.

Basha thotë se ishte mizore përpjekja për të fshehur e manipuluar krimin shtetëror, se Rama heshti 3 ditë për vrasjen e Klodianit, “që të manipulonte opinionin” dhe se Ministri i Brendshëm, u përdor si “mish për top për të shpëtuar Ramën”.

Basha tha se vrasja ishte pasojë e arrogancës, kulturës së pandëshkueshmërisë. Ai dha një qëndrim të kamufluar se “të rinjtë nuk mund rrinë duarkryq para padrejtësisë dhe krimit shtetëror dhe se ajo (rinia shqiptare) nuk ka e frikë dhunën e kësaj policie politike”.

Ai i “lau” duart si Ponc Pilati për të treguar më tej përmes fjalish se ai e synon pushtetin përmes votës, zgjedhjeve të 25 prillit.

Meta dhe Basha heshtën me mesazhe direkte për të shijuar spektaklin me pjesë para syve të tyre.

Historia politike në vend ka treguar se as një pushtet nuk vjen në këtë rrugë sado e dhimbshme të jetë.

Lulzim Basha mund të ketë fituar irritimin apo euforinë momentale të njerëzve, (që tek ne nuk zgjat më shumë se tre ditë) por nesër asnjë prej tyre nuk do t’i ketë votues, as atë 20 vjeçarin (apo diçka më shumë) që gjuan me gurë ndaj policisë, as minorenët që ende nuk kanë mbushur moshën, e as shumë syresh riosha. Ata nuk u janë drejtuar ndonjëherë kutive të votimit dhe as kanë për ta bërë.

Basha dhe Meta mund të kenë fituar zhurmën, por jo kauzën dhe mbi të gjitha, atë eminencën gri, atë kryesore që nesër të sjell në pushtet me votë.

Sepse për një dënim të merituar që duhet të merret për vdekjen e Klodjan Rashës, (dhe për një mijë e një arsye të tjera) nuk mund të plaçkitet Tirana duke ia lënë në dore fajin e përgjegjësisë, do të rinjve. Kjo do të ishte barrë e madhe për ata, dhe aspak e logjikshme për një politikan që nesër synon të marrë në dorë drejtimin e shtetit.

Ai, ashtu si edhe Meta duhet të flasin se çfarë mendojnë për dy anët e kësaj historie.

Të paktën kështu secili del faqe hapur synimit që ka, dhe më pas jemi ne që bëjmë zgjedhjen. Por jo djegien. Se nuk ua kemi borxh...


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë