Lajme

Lleshaj: Protestat e opozitës, me grafikë dhe rrogëtarë shteti!

Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj, duke komentuar krizën politike në javët e fundit, është shprehur se shumica është gati për dialog me opozitën, por jo për negociata dhe për zgjedhje të parakohshme. Nga Shkodra, ku po zhvillohet asambleja e Partisë Socialiste, ai tha se Policia e Shtetit është shumë e angazhuar për shkak të protestave të fundit në Shqipëri. “Megjithatë deri me tani, Policia e Shtetit ka zbatuar ligjin dhe do vazhdojë që ta zbatojë”, - u shpreh.

Ministri e quajti të papranueshme fakfin që njerëz që punojnë në administratë ditën e protestave transferohen në Tiranë dhe shkaktojnë dëme dhe paralajmëroi se do të merren masa.

“Është paradoksale kur shohim që këtu kemi protesta me grafikë, a thua pakënaqësia zgjohet të enjten, fle një javë dhe më pas zgjohet të enjten tjetër. Në përgjithësi kur ka pakënaqësi është e vijueshme, ndërsa këtu e kemi të enjten, të enjten tjetër, - vazhdoi Lleshaj. - Nga qarku i Shkodrës kemi fenomenin e pakëndshëm të faktit që eksportohet protesta nga Shkodra nga Lezha e Vau i Dejës përmes rrogëtarëve të shtetit. Kjo është e jashtëzakonisht e papranueshme. Njerëz që paguhen për të marrë shërbimin vijnë dhe bëjnë dhunë fizike ndaj institucioneve. Ne jemi duke marrë masa për ata që paguhen nga shteti të bëjnë punën për të cilën paguhen. Të mos i përdorin në funksion të qëllimeve politike destruktive për të vënë para përgjegjësisë individë të caktuar por dhe drejteus të caktuar të pushtetit vendor që instrumentalizojnë pushtetin e tyre në dëm të interesit public”.

Sa i takon kërkesave të opozitës, Lleshaj bëri thirrje që të shmanget dhuna, por nënvizoi: “Ne jemi të gatshëm që të dialogojmë me opozitën, por jo të bëjmë negociata. Dialogu është e vetmja rrugë për të zgjidhur gjithçka”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë