Lajme

Lleshaj-oficerëve të rinj: Po modernizojmë policinë

Në ambientet e jashtme të Ministrisë së Brendshme u zhvillua ceremonia e diplomimit të oficerëve të rinj të Policisë Kriminale dhe Patrullës së Përgjithshme, ku ishte i pranishëm edhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu dhe ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj.
Ministri Lleshaj shprehet se oficerët e rinj do të përmirësojnë nivelin e Policisë së Shtetit.
“402 djem e vajza i bashkohen radhëve të Policisë së Shtetit duke siguruar një moment ripërtëritje. 158 të tjerë përfundojnë studimet e larta dhe bëhen pjesë e trupës drejtuese, ndërkohë që 36 që i kanë përfunduar më parë përfundojnë kursin dhe i bashkohen strukturave të hetimit. Kjo trupë shënon një hap tjetër të rëndësishëm për të përmirësuar nivelin profesional të Policisë së Shtetit”, tha ministri Lleshaj.
Gjatë fjalës së tij, ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, tha se Policia e Shtetit duhet të rritet në cilësi dhe sasi.
“Për të përballuar me efikasitet misionin, policia shqiptare duhet të rritet në sasi dhe cilësi. Duhet të rritet dhe modernizohet. Programi i qeverisë parashikon progres në të dy këto vlerësime. Të punosh në radhët e strukturave të sigurisë publike, përveç profesionalizmit, duhet dhe trimëri, kurajë, nder e moral i lartë. Kjo detyrë nuk mund t’iu bëjë të pasur, por puna juaj shpërblehet me një tjetër monedhë, me atë të mirënjohjes”, u shpreh ndër të tjera ministri Lleshaj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë