Futboll

Liverpuli padron në Londër, Sadio Mane ndëshkon Çelsin

Në “Stamford Bridge”, dy gola të senegalezit Sadio Mane i kanë dhënë Liverpulit fitoren e dytë në po kaq ndeshje kampionati. Skuadra e trajnerit Frenk Lampard mbeti me 10 vetë në fundin e pjesës së parë, kur mbrojtësi Kristensen u ndëshkua me karton të kuq si lojtar i fundit.

Nëse sfida me Liverpulin do të ishte një test për të kuptuar nëse blutë janë apo jo pretendentë për të rivalizuar me skuadrën e trajnerit Jurgen Klop, të besuarit e Lampard nuk e kanë kaluar provën. Kampionët në fuqi të Anglisë janë me pikë të plota pas dy javësh dhe duket se do të jetë e vështirë për t’ua marrë titullin. Ka debutuar me “të kuqtë” edhe mesfushori Tiago Alkantara”, i cili shkaktoi një penallti, por që u prit nga portieri Alison.

Mane shënon me kokë golin e parë ndaj Çelsit. Gazeta Si, 20 shtator 2020

Momenti vendimtar i ndeshjes ishte fundi i pjesës së parë, kur Kristensen u ndëshkua me karton të kuq, pas një faulli të shkaktuar ndaj Mane, duke i hequr këtij të fundit shansin e golit. Ishte një i verdhë, që më pas, me ndërhyrjen e VAR-it, u bë i kuq. Me fillimin e pjesës së dytë ka ardhur edhe avantazhi i Liverpulit, me protagonistë treshen e sulmuesve: Salah krijon, Firmino kroson saktë dhe Mane mposht Kepan me kokë. Vetëm pas 4 minutash portieri spanjoll i dhuron sulmuesit të Liverpulit golin e dytë. Zhorzhinjo mund ta rihapte ndeshjen në minutën e 75-të, por gaboi nga pika e bardhë.

Në ndeshjet e tjera, bie në sy fitorja e thellë e Totenhemit të Mourinjos në fushën e Southemptonit, me rezultatin 2-5. Në këtë ndeshje, koreani Son realizoi 4 gola. Përveç Liverpulit, me pikë të plota janë edhe Arsenali, Evertoni i Ançelotit, Leiçesteri dhe Kristal Palasi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë